Lajme

Grabitja në Suharekë: Nga dy muaj paraburgim shtesë për katër të dyshuarit


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ua vazhdoi masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në komunën Suharekës – Bujar Basha, Besart Istrefi, Leutrim Cakolli dhe Trim Baraku – ndërsa për dy të dyshuarit tjerë – Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri – nuk pati kërkesë për vazhdim apo ndryshim mase, andaj janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në një prej argjendarive të komunës së Suharekës më 22 nëntor 2023 u vazhdua masa e paraburgimit deri më 30 prill 2024, njoftoi të enjten ​​​​​​​​​Marcel Lekaj, udhëheqës i zyrës për informim dhe komunikim në Gjykatën Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren caktoi më 5 janar 2024 nga dy muaj paraburgim ndaj katër të dyshuarve, ndërsa paraburgimi prej një muaji (30 ditë) për herë të parë u caktua më 1 dhjetor 2023. Grupi në përbërje prej katër personave dyshohet se kreu vjedhje mbi 250 mijë euro, ndërsa të njëjtit janë persona me të kaluar kriminale që u liruan rishtas nga burgjet e Kosovës.

Në ditën kur ndodhi grabitja e armatosur në komunën e Suharekës, organet e rendit njoftuan se një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua gjatë aksionit. Gjithashtu, u vra edhe një nga grabitësit që dyshohet se mori pjesë në grabitjen e argjendarisë në Suharekë. Në total, për grabitjen në këtë komunë, ishin arrestuar shtatë persona. Njëri prej tyre u lirua për mungesë të provave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore