Sport

Goleadorët kuqezi në Evropë për këtë sezon


Ky fillim sezoni duket se i ka buzëqeshur lojtarëve shqiptarë në skuadrat e tyre, jashtë Shqipërisë. Nga Armando Broja, te Myrto Uzuni, Ernest Muçi dhe shumë të tjerë kanë qenë të rëndësishem për ekipet që janë pjesë.

26-vjeçari Uzuni, është lojtari më në form përballë portës kundërshtare nga kuqezinjtë. Edhe pse me Kombëtaren e Shqipërisë ka gabuar jo pak herë përballë portierit kundërshtarë, një gjë e tillë është më e rrallë kur ai luan për Ferencvaros-in në Hungari.

Beratasi këtë sezon numëron 26 ndeshje me klubin, nga ku ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar tetë asiste.

Giacomo Vrioni është lojtari i dytë shqiptar me më shumë gola. Aktualisht ai është i huazuar nga Juventus-i te WSG Tirol-i në Bundesliga-n austriake. Këtë sezon numëron 12 paraqitje, 10 gola dhe një asist.

Muçi është një tjetër golashënues kuqezi në Evropë. Edhe pse nuk aktivizohet rregullisht me Legia Warszawa-n, përsëri ish-lojtari i Tiranës në Superiore është ndër golashënuesit e skuadrës. 20-vjeçari numëron pesë gola dhe një asist në 23 ndeshje (1 mijë e 35 minuta).

20-vjeçari Broja cilësohet si talenti më i madh shqiptar dhe një nga më të mirët në Evropë. Këtë sezon ai po shkëlqen si me Shqipërinë, ashtu dhe me Southampton-in. Pavarësisht se te këta të fundit kishte një fillim jo të mirë.

Qendërsulmuesi i lindur në Angli numëron 10 paraqitje (470 minuta) me Southampton-in, nga ku ka shënuar katër gola.

Sokol Cikalleshi vijon të shënoi gola në Turqi me Konyaspor-in. Skuader e cila po kalon vërtet moment të mirë në Superleague turke, duke u renditur në vendin e tretë me 26 pikë, po aq sa Hatayspor i vendit të dytë.

Sulmuesi nga Kavaja këtë sezon numëron 11 paraqitje, nga ku ka gjetur rrugën e rrejtës katër herë dhe gjithashtu ka dhuruar një asist.

Lista e kuqezinjëve që kanë shënuar këtë sezon normalisht nuk përfundon këtu. Nedim Bajrami, Endri Çekiçi, Qazim Laçi, Ledian Memushaj e shumë të tjerë kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës me skuadrat respektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore