Lajme

Gjyqi i sulmit të Nice-s, 8 persona të akuzuar – gjysma e tyre shqiptarë


Tetë persona do të dalin këtë të hënë në gjyq për rolet e tyre të dyshuara në sulmin terrorist në Nice të vitit 2016, i dyti më vdekjeprurës në tokën franceze.

Gjashtë burra dhe një grua do të dalin në gjykatë, të akuzuar për komplot për të ndihmuar terroristin që futi një kamion mes turmave në Ditën e Bastiljes, përpara se të vritej nga policia.

Një i dyshuar i tetë, i mbajtur aktualisht në Tunizi, po gjykohet në mungesë.

Tre të dyshuar akuzohen si anëtarë të “shoqatës terroriste”, ndërsa pesë janë duke u gjykuar për “trafik armësh”.

Disa nga të pandehurit hipën me sulmuesin në të njëjtin kamion në Nice vetëm disa ditë para sulmit, ndërsa të tjerët e pajisën atë me armë, thonë prokurorët.

Ata u akuzuan të gjithë fillimisht si “bashkëpunëtorë” në sulm, por akuzat u hodhën poshtë gjatë katër viteve të hetimeve gjyqësore.

Dy personat e gjykuar janë me shtetas të dyfishtë francezo-tunizianë, ndërsa dy të tjerë janë tunizianë dhe katër janë nga Shqipëria. Një i dyshuar i nëntë në këtë rast ka kryer vetëvrasje në paraburgim në qershor 2018.

Prokurorët kërkojnë dënime me burg që variojnë nga 5 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Gjyqi njëmujor në Gjykatën Speciale të Assizes në Paris është cilësuar si një “moment përkujtimor” nga avokatët. Ai do të zgjasë deri në dhjetor, me ish-presidentin francez François Hollande midis atyre që pritet t’i drejtohen gjykatës.

Gjyqi vjen gjithashtu vetëm dy muaj pasi 20 persona u dënuan për rolet e tyre në sulmet terroriste të nëntorit 2015 në Paris.

Çfarë ndodhi në sulmin me kamion në Nice?

Më 14 korrik 2016, njerëzit po mblidheshin në qytete anembanë Francës për të festuar Ditën e Bastiljes. Në Nice, mijëra banorë dhe turistë u mblodhën në Promenade des Anglais për të parë shfaqjen vjetore të fishekzjarrëve.

Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, një shofer transporti 31-vjeçar tunizian i cili jetonte në qytet, po ngiste një kamion të bardhë drejt turmave, pikërisht kur mbaroi shfaqja e fishekzjarreve.

Ai e futi qëllimisht kamionin 19 tonësh në trotuar me shpejtësi të madhe dhe kaloi me zigzage përgjatë rrugës për gati dy kilometra, duke goditur këmbësorët.

86 njerëz u vranë dhe më shumë se 400 të tjerë u plagosën.

Ndërsa kamioni po afrohej me një kompleks hoteli luksoz, policia franceze qëlloi për vdekje mbi sulmuesin.

Dy ditë më vonë, sulmi u mor përsipër nga anëtarët e të ashtuquajturit grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

Një qytet ende në rimëkëmbje

Gjashtë vjet pas sulmit, qindra viktima janë ende në kërkim të përgjigjeve dhe avokatët kanë theksuar se gjyqi në Paris mund të jetë “zhgënjyes”.

“Do të ketë shumë pyetje të cilave askush nuk do të jetë në gjendje t’u përgjigjet”, tha Eric Morain, një avokat për Federatën Kombëtare të Viktimave të Sulmeve (Fenvac).

Gati 900 persona janë listuar si palë civile në gjyq, ndërsa rreth 2 mijë e 500 persona janë kompensuar si viktima të sulmit.

Muajin e kaluar, ministri francez i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti tha se 91% e këtyre viktimave kanë marrë një ofertë kompensimi.

“Ne po përpiqemi t’i përgatisim viktimat për faktin se dënimet mund të mos jenë në përpjesëtim me vuajtjet e tyre”, tha Antoine Casubolo-Ferro, një nga avokatët e Shoqatës Franceze të Viktimave të Terrorizmit (AFVT).

Ekstradohet drejt Francës shqiptari i përfshirë në masakrën e Nice-s

Marrë nga Euronews, përshtatur për Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore