Lajme

Gjykatësi i lartë amerikan vë në lojë liderët botërorë për vendimin e abortit


Një anëtar konservator i Gjykatës së Lartë të SHBA-së është tallur me liderët botërorë që kritikuan vendimin e muajit të kaluar që përmbysi të drejtat amerikane të abortit.

Gjyqtari Samuel Alito, i cili shkroi vendimin, hodhi poshtë kritikat nga një mori figurash të shquara, duke përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.

Ai bëri shaka se Johnson, i cili largohet nga detyra në shtator, kishte “paguar çmimin” për argumentimin kundër vendimit.

Alito, një katolik i devotshëm, po fliste në një konferencë në Romë.

“Kisha nderin të shkruaja vendimin, mendoj se i vetmi vendim i gjykatës supreme në historinë e atij institucioni që është kritikuar nga një varg i tërë liderësh të huaj, të cilët ndiheshin shumë mirë duke komentuar ligjin amerikan”, tha Alito.

“Një prej tyre ishte Boris Johnson, por ai e pagoi çmimin”, tha ai, duke shkaktuar të qeshura nga publiku. Johnson, i cili njoftoi dorëheqjen në fillim të këtij muaji pas një vargu skandalesh, e kishte quajtur vendimin kundër abortit “një hap të madh prapa”.

Alito iu referua gjithashtu edhe presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe Dukës së Sussex, Princit Harry, të cilët kishin dënuar “kthimin e të drejtave kushtetuese” në SHBA gjatë një fjalimi në OKB në fillim të këtij muaji.

“Ajo që me të vërtetë më lëndoi ishte kur Duka i Sussex-it iu drejtua Kombeve të Bashkuara dhe dukej se krahasoi vendimin, emri i të cilit nuk duhet të përmendet,  me sulmin rus në Ukrainë”, tha Alito.

Duka i Sussex, Princi Harry, gjatë fjalës së tij në OKB

Princi Harry dukej se i referohej vendimit të abortit kur tha në fjalimin e tij në OKB se “nga lufta e tmerrshme në Ukrainë deri te kthimi prapa i të drejtave kushtetuese këtu në Shtetet e Bashkuara, ne jemi dëshmitarë të një sulmi global ndaj demokracisë dhe lirisë”.

Fjalimi i paparalajmëruar më parë i Alito u mbajt në Konferencën e Lirisë Fetare më 21 korrik dhe doli pasi Universiteti i Notre Dame, i cili priti ngjarjen, postoi pamjet në internet të enjten mbrëma.

I emëruar në gjykatë nga Presidenti Xhorxh W Bush në vitin 2006, Alito bëri një ndërhyrje që është jashtëzakonisht e pazakontë për një anëtar të Gjykatës së Lartë. Gjyqtarët e gjykatës më të lartë të Amerikës zakonisht pritet të shmangin futjen në debate politike.

Duke shkruar në Twitter, kongresmenja demokrate Alexandria Ocasio Cortez tha se “vërejtjet e politizuara” të gjyqtarit të lartë duhet të jenë alarmante për votuesit, duke shtuar se “Gjykata e Lartë është në një krizë legjitimiteti”.

Ndërhyrja e Alito erdhi në të njëjtën ditë kur një anëtare liberale e gjykatës, gjyqtarja Elena Kagan, paralajmëroi se do të ishte një “gjë e rrezikshme për një demokraci” nëse shumica konservatore e gjykatës humbte besimin e votuesve.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se besimi në gjykatë është në nivelin më të ulët historik pas disa vendimeve të diskutueshme nga gjykata. Vetëm 25% e të anketuarve thanë se kishin besim te trupi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore