Gjykata Speciale

Gjykata Speciale nuk ua ndalon vizitat dhe telefonatat ish-krerëve të UÇK-së në Hagë


Hashim Thaçi

Janë kthyer vizitat dhe telefonatat për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, kanë bërë me dije Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), megjithëse kanë parashtruar edhe disa masa kufizuesve për ndryshimin e kushteve të paraburgimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pretenduar se ata kishin shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja ishte pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

“Paneli Gjykues nuk ka përcaktuar se ndonjë nga këto përpjekje për të ndërhyrë me dëshmitarët e prokurorisë mund t’i atribuohet ndonjërit prej të akuzuarve. Megjithatë, paneli thekson se informacioni në lidhje me identitetin e dëshmitarëve dhe rendin në të cilin ata thirren është i qasshëm, vetëm për një numër të kufizuar njerëzish të përfshirë në këto procedura”.

DHSK-ja megjithatë ka përgatitur një listë të masave kufizuese të cilat duhet të ndërmerren në mënyrë që të ofrohet një kontroll strikt ndaj komunikimeve në qendrën e paraburgimit, përkatësisht parandalimin e zbulimit të informacioneve konfidenciale, duke përfshirë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe garantimin e integritetit të procedurave gjyqësore.

“Paneli Gjykues thekson se shumë nga garancitë e parapara në udhëzimet praktike të regjistrimit për paraburgimin janë privilegje që shkojnë përtej asaj që do të kishin të paraburgosurit si çështje të të drejtave themelore. Si i tillë, kufizimi i tyre nuk është në vetvete i papajtueshëm me mbrojtjen efektive të të drejtave themelore të të paraburgosurve”.

Ata kanë konstatuar se kushtet aktuale të paraburgimit janë të pamjaftueshme për të zvogëluar rrezikun që të tre të akuzuarit të mund të ndërhyjnë në procedurë apo të paraqesin rrezik për sigurinë e dëshmitarëve, ndërsa është kërkuar të vendoset një sistem që fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e individëve që mund të paraqesin kërcënim.

“I akuzuari nuk duhet të takohet me më shumë se një vizitor në çdo kohë – me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht. Të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe nuk lejohet komunikimi i fshehtë përmes pëshpëritjes apo përdorimi i ndonjë gjuhe të koduar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore