Lajme

Gjykata Komerciale e Kosovës, institucion që mund të bëjë “më shumë dëm se dobi”


Ilustrim

Gjykata Komerciale ka filluar punën zyrtarisht pasi Këshilli Gjyqësore i Kosovës ka njoftuar se kjo Gjykatë ka pranuar lëndët e para të martën e 2 gushtit dhe pritet të jetë një adresë e vetme për të gjitha bizneset.

Gjykatë synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që bizneset mund të kenë mes vete.

Po ashtu, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, në të ardhmen do të jenë në kompetencë të kësaj gjykate.

Themelimin e këtij institucioni gjyqësor e ka mirëpritur edhe hulumtuesi i lartë, IKD-së, Gzim Shala.

Ai ka theksuar për Albanian Post se Themelimi i Gjykatës Komerciale, proces i nisur vite më parë, është një hap pozitiv, ashtu si edhe nisja e punës së kësaj gjykate.

“Për shkak të përzierjes së kompetencave në mes të departamentit për Çështje Ekonomike, Departamentit për Çështje Administrative dhe Divizionit Civil, në shumë raste kompanitë nuk kanë pasur mbrojtje adekuate gjyqësore”, tha Shala.

Gzim Shala

Por – sipas Shalës, sa i përket kohëzgjatjes së procedurës, vetë kohëzgjatja si e tillë, nuk është arsye pse është themeluar kjo gjykatë, por përzierja e procedurave që kanë shkaktuar zvarritje të dyfishta.

“Kështu, sa i përket kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve, kërkohet fuqizim i kësaj gjykate dhe mbajtje llogaridhënës gjyqtareve, në mënyrë që të sigurohet trajtim i rasteve brenda afateve të arsyeshme kohore”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, bën të ditur për AP se krijimi i një gjykatë të tillë mund të bëjë më shumë dëm se sa dobi.

“Sa i përket anës ligjore, krijimi i kësaj gjykate në bazë të vlerësimeve do të sjellë më shumë dëm se sa dobi, sepse, nëse arsyetohet me kohëzgjatjen e zgjedhjes së lëndëve, të njëjtën kohë lëndët e marrin të shqyrtohen edhe në departamentin në kuadër të Gjykatës Themelore, pra edhe për çështje të tjera do të duhej të krijoheshin gjykata specifike, shembull Gjykata e Punës”.

Anton Nrecaj

Nrecaj gjithashtu sqaron se, “ligji për krijimin e Gjykatës Komerciale, ka mangësi thelbësore që mund të ketë pasoja për bizneset që janë në procese gjyqësore, kjo ka të bëjë me mjetet juridike, pasi kufizohet ushtrimi i mjeteve juridike të bizneseve”.

Haxhiu: Thuhej se Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 viteve

E me fillimin e punës së Gjykatë Komerciale është ndarë e kënaqur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila përmes një njoftimi në rrjetin e saj social ka falënderuar Kuvendin e Kosovës për mbështetjen si dhe Këshillin Gjyqësor dhe programin e USAID-it për bashkëpunimin dhe angazhimin për funksionalizimin e kësaj Gjykatës.

“Punë të mbarë gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, uroj ta kryejnë punën me nderë dhe përkushtim dhe vetëm në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin e saj social në Facebook.

Ajo madje nuk ka nguruar të thumbojë kritikët, që sipas saj kanë deklaruar vazhdimisht që Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 viteve.

“Në korrik të vitit të kaluar, Qeveria procedoi në Kuvend, ligjin që themelonte Gjykatën Komerciale. Edhe përkundër zotimeve tona për funksionalizim të shpejtë të saj, në debate televizive gjithandej, thuhej se Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 viteve”, ka shtuar ajo.

Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte paralajmëruar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në Kosovë që nga viti 2011, janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.

Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore