Shqipëria

Gjykata Evropiane i dha të drejtë, i mbijetuari i “Gërdecit” do dëmshpërblehet nga shteti shqiptar


Mustafa Laçi, i mbijetuari i tragjedisë së “Gërdecit”, do të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar me shumën prej 10 mijë e 500 euro.

Kjo është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të mërkurën e 11 majit.

Laçi – i cili punonte në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec – e kishte çuar dosjen e tij në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Kjo e fundit, më 19 tetor të vitit të kaluar, i dha të drejtë të mbijetuarit të “Gërdecit”.

Në shpërthimin e vitit 2008, Laçi humbi gruan e tij dhe që nga ai vit, filloi të kërkonte të drejtën nga Gjykatat shqiptare. Mirëpo, mungesa e një pulle të postës në dokumentet e tij, solli zvarritje të dosjes.

Vendimi i Gjykatës detyroi shtetin shqiptar të paguajë kundrejt tij 7 mijë e 500 euro për vonesat, si dhe 3 mijë euro për kostot e gjyqit.

Kjo pagesë me vendim të Këshillit të Ministrave do të kryhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Vlera në euro do të konvertohet në monedhën shqiptare dhe do të depozitohet në një bankë të nivelit të dytë.

“Rasti ka të bëjë me dështimin e vazhdueshëm të gjykatave vendase për të shqyrtuar të drejtën e aplikantit”, shkruhej në vendimin e Gjykatës.

Kjo e fundit bën me dije se edhe 70 persona të tjera kanë apeluar në këtë Gjykatë nga ngjarja e “Gërdecit”.

Gërdeci

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive me pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal në 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.

Në këtë hetim, Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

Prokuroria e Posaçme (SPAK), fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet. Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim. Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Më 24 shtator u rihap dosja “Gërdeci” nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Gjyqtarja, e cila shqyrtoi çështjen e “Gërdecit”, në Apelin e Posaçëm, ishte Saida Dollani.

Në vendimin e Apelit të GJKKO-së, më 12 tetor, theksohej fakti se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Kjo e fundit pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe revokoi vendimin e pushimit të 14 shtatorit të vitit 2009-ës të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore