Lajme

Gjukanoviç me Osmanin diskutojnë për stabilitetin në rajon


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë zhvilluar një takim në margjinat e samitit të Brdo-Brijunit i cili do të nis punimet të hënën në Slloveni.

Takimin e ka bërë të ditur Gjukanoviç përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Diskutim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për çështjet bilaterale dhe bashkëpunimin në rajon. Mali i Zi dhe Kosova mbesin në principet e ruajtjes së stabilitetit dhe perspektiven evropiane të rajonit”, ka shkruar ai.

Të hënën e 12 shtatorit, do të mbahet procesi Brdo-Brioni. Në këtë samit temë kryesore është paralajmëruar të jetë siguria në Ballkani Perëndimor.

Pjesëmarrëse do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mesin e shumë pjesëmarrësve.

Në njoftimin e bërë nga zyra e presidentit slloven, Borut Pahor i cili do të jetë edhe nikoqir i këtij samiti, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Po ashtu tre anëtarë të presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviç.

Pjesë e këtij samiti do të jenë edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili merr pjesë për herë të parë në këtë takim.

Kabineti i Pahorit kishte bërë të ditur se samiti i Procesit Bërdo-Brioni, do të jetë një mundësi për të rishikuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

“Takimi i liderëve në samitin e Brdo-Brijune këtë herë do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit. Udhëheqësit do të jenë gjithashtu në gjendje të shkëmbejnë pikëpamjet për çështje të tjera aktuale në një atmosferë joformale”, thuhet në njoftim.

Procesi i Bërdo-Brionit ishte ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor gjatë kohës sa ishte kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore