Lajme

Gjukanoviç kryeson në votime, por do të nevojitet raundi i dytë


Milo Gjukanoviç po kryeson në votime, sa i përket zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar në Malin e Zi, të dielën e 19 marsit.

Kandidati presidencial i Partisë Demokratike të Socialistëve, ka marrë 37% të votave sipas rezultateve paraprake të publikuara.

Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, ka arritur të marrë 26.3%, Andrija Mandiç i Frontit Demokratik 20,3%, dhe Aleksa Beçiç i Malit të Zi Demokratik 11,7%.

Me më pak vota janë kandidatët e tjerë, Draginja Vuksanoviç -Stankoviq nga Partia Socialdemokrate me 2.8%, kandidati për Malin e Zi të Bashkuar Goran Danilović 1.2% dhe influenceri Jovan Radulović Jodžir me vetëm 0.7%.

Sipas një publikimi nga Qendra për Tranzicionin Demokratik, kanë votuar 63.6% e qytetarëve për njërin nga shtatë kandidatët që garojnë për president.

Vetë Gjukanoviç, e theksoi se beson se një raund i dytë, do të jetë i nevojshëm.

“Kjo është një mundësi për Malin e Zi që të konfirmojë aftësinë e tij për të jetuar në kushte të stabilitetit politik dhe social, për të zbatuar reforma, për të arritur standardet dhe për të arritur një qëllim që mbështetet me gjithë zemër nga tre të katërtat e shoqërisë malazeze”, tha ai në mbyllje të procesit.

Gjukanoviç, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekadat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991. Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore