Lajme

Gjoshi i PDK-së komenton 100 ditët e Kurtit: Qeveria zhgënjen edhe skeptikët


Betim Gjoshi, anëtar i kryesisë së PDK-së

“Kjo qeveri është më e dobët se sa kanë menduar edhe më skeptikët”, kështu ka deklaruar anëtari I kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Betim Gjoshi, gjatë një interviste për KosovaPress.

Gjoshi gjatë intervistës ka adresuar një varg kritikash për 100 ditët e qeverisë Kurti.

Sipas tij ekzekutivi aktual për 100 ditë ka tentuar ti kap institucionet e pavarura.

“Kemi parë një tendencë për të kapur të gjitha institucionet, për më pak se 100 ditë të gjitha ndërmarrjet publike i ka kapur kjo qeveri, ka filluar edhe tek institucionet e pavarura”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka komentuar edhe qasjen e Kryeministrit Albin Kurti karshi dialogut Kosovë – Serbi.

Gjoshi ka pohuar se Kryeministri Kurti gjatë dialogut ka bërë më shumë improvizime sesa propozime.

“Ai fillimisht është dashur të marrë mandatin në Kuvendin e Kosovës, është dashur të arrijë një konsensus me partitë politike edhe është dashur ta paraqes programin dhe vizionin çfarë pret nga bisedimet. Asnjëra nga këto tri nuk është përmbushur, i ka paraqitur katër pika që kanë qenë më shumë për konsumim ditor”.

Anëtari i kryesisë së partisë më të madhe opozitare në Kosovë, ka treguar edhe për procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për ta dërguar rastin e shkarkimit të ish Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk janë kompletuar të gjitha nënshkrimet, ka një vullnet të opozitës për t’i dhënë nënshkrimet, nëse zonja Daka nuk zgjedh ta dërgojë përmes Avokatit të Popullit, atëherë me siguri që ne do ta dërgojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore