Sport

Gjilani e konfirmon për Albanian Post: Klubi është në shitje – nuk janë vetëm investitorët italianë


Lajmet që qarkulluan gjatë ditës së sotme se investitorët nga Italia janë të interesuar ta blejnë klubin nga qyteti i Gjilanit, i kanë konfirmuar për Albanian Post edhe nga vetë klubi.

Zyrtarë të SC Gjilanit kanë thënë për AP se nuk janë vetëm italianët në krye me Andrea D’Amico të interesuar për ta blerë klubin.

“Përveç investitorëve italianë, për klubin janë të interesuar edhe disa investitorë tjerë, që jemi në negociata. Do të thotë gjithçka varet prej tyre. Na kërkesën tonë e kemi bërë, detajet dhe të dhënat i kemi dërguar dhe jemi në pritje”, thotë zyrtari i Gjilanit për AP.

Tutje ai u pyet edhe lidhur me çmimin e ofruar nga ana e italianëve.

“Nuk kemi arrit ende në këtë pikë për të diskutuar çështjen e çmimit, ofertës apo kërkesës nga ana jonë”.

Kryesia e Gjilanit kishte dhënë dorëheqje më 18 korrik, duke ftuar investitorë të rinj në klub.

Megjithatë klubi ende mbetet në pronësi të pronarëve të vjetër në krye me Florim Zukën.

Lajmin për interesimin e menaxherit italian për ta blerë klubin e ka konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, ku D’Amico ishte në takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademin.

“D’Amico e njoftoi presidentin Ademi se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është interesimi ndaj klubit SC Gjilani, me zyrtarët e të cilit veçse ka biseduar gjatë ditës së djeshme, e po ashtu identifikimi i talentëve kosovarë dhe mundësia që futbollistët tanë të transferohen në klubet evropiane”, shkruan FFK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore