Lajme

Gjermania zoton 37 milionë euro për punësim dhe zhvillim ekonomik në Kosovë


Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës në takim të përbashkët.

Qeveria e Gjermanisë, të mërkurën është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës, në vlerë prej 37 milionë eurosh për periudhën 2022-2023.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Financave përmes një komunikate për media, ku ka theksuar se marrëveshja e bashkëpunimit gjermano-kosovar synon nxitjen e aftësimit profesional dhe arsimor.

Po ashtu edhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Duke u pajtuar për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit zhvillimor, Kosova dhe Gjermania do t’i adresojnë së bashku sfidat kryesore të së ardhmes. Prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërkaq, një theks i veçantë i është kushtuar edhe investimeve të mëtejme në Parkun e Inovacionit dhe trajnimit në Prizren.

Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës në takim të përbashkët.

“Në lidhje me politikat energjetike, sektori publik dhe privat, si dhe shoqëria civile, do të marrin mbështetje në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP)”.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, i cili u shpreh se të dyja vendet janë duke hapur një periudhë të re.

“Sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, citohet të ketë thënë Rohde.

Edhe, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se Gjermania ka qenë edhe vazhdon të jetë mbështetëse e vazhdueshme e zhvillimit të Kosovës.

“Ne kemi ndarë vlera të përbashkëta që nga fillimi dhe mbështetemi në mbështetjen e Gjermanisë drejt realizimin të aspiratave tona për të zhvilluar më tej Kosovën dhe për të ndihmuar vendin drejt anëtarësimit në BE”.

Sipas njoftimit me këtë zotim, mbështetja gjermane për bashkëpunim zhvillimor, arrin shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020, kur edhe janë mbajtur negociatat e fundit qeveritare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore