Kosova

Gjermania zgjati mandatin e Bundeswehr-it në Kosovë


Bundeswehr

Mandati i ushtarëve gjermanë (Bundeswehr) në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) do të zgjatet edhe për një vit. Parlamenti i Gjermanisë (Bundestag), pas vendimit të kabinetit qeveritar, ka miratuar në lexim të dytë vendimin për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it.

“Bundeswehr vazhdon të marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë. Gjermania do të vazhdojë të marrë pjesë me forcat e armatosura gjermane në praninë ndërkombëtare të sigurisë së Forcave të Kosovës (KFOR) në Kosovë. Kabineti ka vendosur të vazhdojë mandatin. Bundestagu e ka miratuar”.

Ndryshe, zgjatja e mandatit të paqeruajtësve gjermanë të KFOR-it në Kosovë edhe për një vit, u bë për shkak të “potencialit ekzistues për përshkallëzim në rajon”, pati njoftuar të mërkurën e 3 majit Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Aktualisht po zhvillohet një dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithëse republikat po afrohen ngadalë, ka ende potencial për përshkallëzim. Tensionet e vjetra mund të ndizen sërish, veçanërisht në veri të Kosovës”, thanë nga ministria.

“Kjo është arsyeja pse Gjermania do të vazhdojë të mbështesë këtë mision në kuadër të NATO-s për të siguruar ushtarakisht paqen në rajonin e Ballkanit. Ky është parakusht për zhvillimet e mëtejshme politike, sociale dhe ekonomike në Republikën e Kosovës deri në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Ushtarët gjermanë janë dislokuar në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. Në parim, misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është i pakufizura, pra s’ka afate kohore, por në vitin 2020, qeveria gjermane ishte zotuar se do ta referonte çështjen në Bundestag çdo 12 muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore