Lajme

Gjermania planifikon ta zgjasë bllokimin deri në 14 mars


Gjermania ka në plan të zgjasë kufizimet për të ndaluar përhapjen e Coronavirusit deri në 14 mars.

Kjo u njoftua të mërkurën nga një projekt-marrëveshje për bisedime midis Kancelares, Angela Merkel dhe drejtuesve të 16 shteteve federale, raporton Reuters.

Agjencia e lajmeve Reuters tregon se numri i infeksioneve të reja të përditshme në Gjermani ka rënë, duke bërë që disa udhëheqës rajonalë të bëjnë presion për të lehtësuar bllokimin, por shqetësimet po rriten për ndikimin e llojeve më infektive të virusit në numrin e rasteve.

“Jemi në një situatë shumë delikate”, ka thënë Winfried Kretschmann, Kryeministri i shtetit jugor të Baden-Wuerttemberg.

“Ne mund të shohim sa shpejt mund të kthehet batica në vendet e tjera të tilla siç është Portugalia”, shtoi ai.

“Nëse shifrat e infeksionit vazhdojnë të bien në mënyrë të besueshme, përparësia më e lartë është qartë tek fëmijët më të vegjël”, tha Kretschmann.

Merkel e ka bërë të qartë se shkollat fillore dhe çerdhet do të kenë përparësi në çdo lehtësim. Drafti i marrëveshjes tha që shtetet individuale mund të vendosin se si të fillojnë përsëri klasat.

Ajo në të kaluarën gjithashtu pati bërë të qartë se dëshiron një rënie shtatë-ditore prej 50 rastesh për 100 mijë njerëz, që të jetë pikë referimi për heqjen e kufizimeve.

Sipas të dhënave të botuara nga Instituti Robert Koch për sëmundjet infektive ky numër aktualisht qëndron në 68.

Të mërkurën, Gjermania raportoi 8 mijë e 072 raste të reja me Coronavirus dhe 813 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 62 mijë e 969.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore