Lajme

Gjermania pezullon disa projekte infrastrukturore në Republikën Serbe për shkak të ‘politikës secesioniste’ të Dodikut


Ilustrim

Gjermania ka vendosur të pezullojë katër projekte infrastrukturore në Republikën Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë -për shkak të vazhdimit të ‘politikës secesioniste’ të presidentit ultra-nacionalist, Milorad Dodik, njoftoi të mërkurën ambasada gjermane në Sarajevë.

“Sfondi i kësaj është vazhdimi i politikës secesioniste të Republikës Serbe dhe presidentit të saj Milorad Dodik. Për këtë vendim janë njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës dhe partnerët e projekteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane.

Fjala është për projektet për rehabilitimin e hidrocentralit të komunës së Trebinjës, parkun e erës në fshatin Hrgud të qytetit të Bërkoviçit dhe largimin e ujërave të zeza në komunën e Gradishkës. Projekti i fundit i përmendur është objekt i bashkëpunimit me Konfederatën Zvicerane

Vlera totale e projekteve të pezulluara kalon shumën prej 105 milionë eurove, ndërsa vetëm vlera e projektit për parkun e erës është rreth 64 milionë euro, nga të cilat Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) siguroi 60 milionë euro, kurse pjesa tjetër do të financohej nga ndërmarrja publike “Elektroprivreda”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj anëtares serbe të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Republikës Serbe, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Paqes (Dejton, 1995).

Autoritetet e Republikës Serbe refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore. Dodik haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore