Shqipëria

Gjermania dhe WBIF – 26 milionë euro për konviktet studentore në Tiranë


Të enjten e 4 nëntorit është nënshkruar marrëveshja mes ministres shqiptare të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe drejtoreshës së KfW-së, Brit Horschke, e cila do të përmirësojë kushtet e konvikteve studentore.

Fondi që është caktuar për investim është 21 milionë euro të cilat i bashkangjiten një granti prej 4.78 milionë euro nga Institucioni i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Këto fonde i shtohen 9.4 milionë eurove në fondet e granteve tashmë të akorduara nga Qeveria Gjermane përmes Bankës për Zhvillim (KfW).

Projekti do të përfshijë rehabilitimin energjetik të konvikteve dhe ndërtimin e të paktën tre godinave të reja.

Këto rehabilitime do të bazohen në auditimet strukturore energjetike të 19 konvikteve.

Përmes investimit kërkohet që të rritet efikasiteti energjetik në këto ndërtesa.

Konsumi i energjisë elektrike do të ulet mesatarisht me 20% krahasuar me nivelet e konsumit para rehabilitimit.

Promovimi i infrastrukturës sociale përfshin edhe studentët e paprivilegjuar. Një minimum prej 70% të kapacitetit të konvikteve të rehabilituara do të jenë për studentët me të ardhura më pak se 108 euro mujore.

WBIF-ja është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), donatorëve dypalësh dhe përfituesve të Ballkanit Perëndimor e nisur në dhjetor të viti 2009.

KfW dhe Banka Botërore më pas iu bashkuan platformës. Në dhjetor të vitit 2018, Agence Française de Développement (AFD) u bë një organizatë pjesëmarrëse në WBIF.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore