Bota

Gjermanët kërkojnë me ngulm të vaksinohen sa më shpejt


Autoritetet mjekësore të Gjermanisë kanë njoftuar se qytetarët po kërkojnë me këmbëngulje të vaksinohen kundër coronavirus-it.

Sipas mjekëve, përcaktimi i grupmoshës që ka më shumë përparësi ndaj vaksinimit, ka sjellë agresion tek popullsia gjermane.

Njerëzit po paraqiten në praktikat e mjekëve dhe po përpiqen të marrin vaksina edhe pse nuk është radha e tyre, me disponimin që bëhet më agresiv, tha ajo.

Disa njerëz po kërkojnë edhe dozën e dytë të vaksinën, më herët në kohë, në mënyrë që të udhëtojnë për pushime ose të përfitojnë nga lehtësimet e masave kufizuese.

Pacientët e moshuar të cilëve u është përcaktuar vaksina e kompanisë AstraZeneca, po kërkojnë një lloj tjetër vaksine.

Gjermania ka rritur fushatën e saj të vaksinimit. Deri më tani janë vaksinuar me dozën e parë, një e treta e popullsisë.

Në fillim janë vaksinuar qytetarët më të vjetër në moshë dhe gradualisht janë zgjeruar në grup-mosha më të reja dhe profesione të tjera me përparësi si, mësuesit, gazetarët dhe ata që punojnë në infrastrukturën kritike.

Disa shtete gjermane, njoftuan të martën, se po planifikojnë të lirojnë kufizimet ndaj coronavirus-it, gjatë ditëve të ardhshme. Ndërsa numri i infeksioneve të reja vazhdon të bie në të gjithë vendin.

Të mërkurën, 14 mijë e 909 raste të tjera u raportuan, duke e çuar totalin në 3 milionë e 548 mijë e 285, ndërsa numri i të vdekurve u rrit me 268 në 85 mijë 380.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore