Lajme

Gjenerali Tchiani u emërua kreu i qeverisë kalimtare pas grushtit të shtetit në Niger


Abdourahmane Tchiani, kreu i gardës presidenciale të Niger-it, u emërua kreu i qeverisë kalimtare të shtetit të Afrikës Perëndimore, dy ditë pasi njësia e tij përmbysi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum, raporton Al Jazeera.

Njoftimi u bë të premten në televizionin shtetëror, kur u tha se Tchiani ishte emëruar “Kryetar i Këshillit Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut”.

Gjenerali 62-vjeçar u shfaq në televizion jo shumë kohë më vonë dhe foli shkurt.

Tchiani, i cili u emërua për të udhëhequr njësinë elitare në vitin 2015, vjen nga rajoni Tillaberi i Niger-it perëndimor, një terren i madh rekrutimi për ushtrinë.

Ai mbetet një aleat i ngushtë i ish-presidentit Mahamadou Issoufou, politikanit që udhëhoqi vendin deri në vitin 2021.

Gjenerali thuhet se udhëhoqi rezistencën ndaj një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në mars 2021, kur një njësi ushtarake u përpoq të kapte pallatin presidencial disa ditë përpara se Bazoum, i cili sapo ishte zgjedhur, të betohej.

Të mërkurën, njësia e Tchiani-t burgosi Bazoum në pallatin presidencial në kryeqytetin, Niamey, duke shkaktuar dënime të ashpra nga udhëheqësit në Afrikë dhe më gjerë.

Koloneli Amadou Abdramane, një zëdhënës i ushtrisë së Niger-it, tha në televizionin shtetëror të mërkurën se forcat e sigurisë kishin vendosur të “përmbysnin një regjim të njohur për situatën e tij të përkeqësuar të sigurisë dhe qeverisjen e dobët”.

Abdramane tha se kufijtë e Niger-it u mbyllën, një shtetrrethim u shpall në të gjithë vendin dhe të gjitha institucionet e republikës u pezulluan.

Disa orë më vonë, Bazoum tha se “përparimet e fituara me vështirësi” të vendit në vendosjen e demokracisë do të mbroheshin.

“Të gjithë qytetarët e Niger-it që e duan demokracinë dhe lirinë do ta dëshironin këtë”, tha ai herët të enjten në platformën sociale X, dikur Twitter.

Grushti i shtetit është i pesti i vendit pa dalje në det që nga fitimi i pavarësisë nga Franca.

Ky ishte gjithashtu grusht-shteti i pestë në Afrikën Perëndimore, pas dy të parave në Burkina Faso dhe Mali, në tre vjet, me të cilin rajoni “justifikoi” pseudonimin “rripi i grushtit të shtetit”, i cili rriti sërish frikën për sigurinë e Sahel-it, një prej zonat më të paqëndrueshme në botë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore