Lajme

Gjenerali polak beson se NATO ka një argument për të “mbyllur qiejt ukrainas”


Gjenerali polak Stanislaw Kozei beson se NATO mund të “mbyllë qiejt” mbi rajonet perëndimore të Ukrainës.

Kjo, duke përmendur zjarrin e dyfishtë të raketave ruse në rajonet afër kufijve të Aleatëve.

Lajmi u bë i ditur nga media polake ‘Onet.pl’.

“Kjo është e papranueshme. Raketat ruse me rreze të gjatë të lëshuara nga Deti i Zi ose duke përdorur avionë strategjikë dhe që fluturojnë drejt kufijve të Aleancës së Atlantikut të Veriut duhet të rrëzohen në distancën e duhur”, deklaroi ish-kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare Polake.

Sipas tij, këto janë raketa me përdorim të dyfishtë, sepse ato mund të mbajnë koka bërthamore.

“Nëse e kemi parasysh këtë, kemi disa argumente për t’iu përgjigjur në mënyrë parandaluese sulmeve të Rusisë dhe për t’u mbrojtur”, shtoi ai.

Për gjeneralin polak, presidenti rus Vladimir Putin po shantazhon me sukses Perëndimin me “doktrinën e tij të përshkallëzimit” – mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

Megjithatë, ai beson se edhe liderët perëndimorë duhet të vendosin disa “vija të kuqe” dhe kushte për Rusinë, dhe jo vetëm t’i përgjigjen kërcënimeve të saj.

Gjenerali Kozey është i bindur se jo vetëm njëra palë në këtë luftë duhet të ketë iniciativën për përdorimin e armëve.

Nëse NATO lëshon një zonë ndalim-fluturimi në qiejt mbi rajonet perëndimore të Ukrainës, Putin-it do t’i duhet të peshojë rreziqet nëse do të përshkallëzohet drejtpërdrejt me Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Goditja e parë e Putin-it në një skenar të tillë mund të jetë i ashtuquajturi Isthmus Suwałki, kufiri tokësor midis Polonisë dhe Lituanisë që ndan Bjellorusinë nga rajoni rus i Kaliningrad-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore