Lajme

Gjendet i vdekur një person në Gjilan, cilësohet si vdekje e dyshimtë


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është gjetur pa shenja jetë pasditen e së dielës në shtëpinë e tij në fshatin Zhegër të Gjilanit.

Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, nga policia e Kosovës.

Sipas raportit 24 orësh të policisë, thuhet se njësitet e saj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e tij.

“Është raportuar se një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkaq, sipas raportit 24 orësh, thuhet se në komunën e Gjakovës, “ankuesi mashkull kosovar ka informuar se në pyll të fshatit kishte hasur në disa mjete të pashpërthyera”.

Ilustrim

“Njësia policore ka bërë sigurimin e vendin të ngjarjes, ndërsa njësitet e FSK-së për de-minim, kanë bërë tërheqjen e 70 copë mjeteve të dyshuara (minë E-3) në mënyrë të sigurt”, vijon njoftimi.

Sipas statistikave të përgjithshme të policisë, brenda 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsejtë 11 të arrestuar, dhe shtatë janë dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore