Lajme

Gjendet i pajetë kreu i organizatës mbështetëse ndaj azilantëve bjellorus


Kreu i një grupi, i cili ndihmonte njerëzit të largoheshin nga Bjellorusia, është gjetur i varur pranë shtëpisë së tij në Ukrainë.

Trupi i Vitaly Shishov u gjet i pajetë në një park në Kiev.

Policia, tanimë, ka hapur një hetim për vrasje.

Sipas autoriteteve, hetimi po bëhet për të zbuluar nëse ai mund të jetë vetëvrarë apo autorët e kanë bërë të duket si vrasje.

Shishov drejtoi Shtëpinë Bjelloruse në Ukrainë (azil), duke ndihmuar ata që u larguan nga Bjellorusia pas një goditjeje të dhunshme.

Ukraina, Polonia dhe Lituania, në veçanti, janë bërë destinacione të preferuara për ata që ikin nga persekutimi pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në Bjellorusi në gusht 2020.

Miqtë e Shishov raportuan se ai ishte ndjekur kohët e fundit.

Shtëpia Bjelloruse në Ukrainë siguron mbështetje për të sapoardhurit në gjetjen e strehimit, punës dhe këshilla ligjore, thuhet në faqen e saj të internetit.

Ndërkohë një atlete bjelloruse, e cila garonte në Lojërat Olimpike të Tokios, iu dha një vizë humanitare nga Polonia, pasi refuzoi urdhrin e ekipit të saj për të fluturuar drejt Bjellorusisë.

Krystina Timanovskaya, 24 vjeçe, tha se e kishin dërguar me forcë në aeroport për kritikën e trajnerëve dhe shprehu frikën për sigurinë e saj.

Në fillim të këtij viti, pati një protestë ndërkombëtare për ndalimin e gazetarit opozitar bjellorus, Roman Protasevich, dhe të dashurës së tij.

Ata po fluturonin në Lituani, kur avioni u detyrua të ulej në Minsk, për shkak të një kërcënimi të rremë bombe.

Ai po përballet me akuza të rënda, akuza për shkaktimin e trazirave masive e ka dënimin deri në 15 vite burg.

Policia tha se kishte gjetur celularin dhe sendet personale të Shishovit nga vendi i ngjarjes.

Shishov është larguar nga shtëpia e tij në mëngjes. Supozohet se ai ka dalë për vrap.

Situata në Bjellorusi/ Kush është Lukashenko?

Njeriu më i fortë i Bjellorusisë ka qenë në pushtet që nga viti 1994.

Lukashenko pretendoi një fitore të madhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Këto zgjedhje janë cilësuar si mashtrim nga opozita dhe vendet perëndimore.

Që nga ajo kohë, protesta masive kundër sundimit të tij janë zhvilluar rregullisht në të gjithë vendin, pavarësisht nga shtypja e dhunshme e orkestruar nga autoritetet.

Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja kanë vendosur sanksione kundër zyrtarëve të lartë të Bjellorusisë për manipulimin e zgjedhjeve dhe shtypjen pasuese.

Kryetarja e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya, e cila është strehuar në Lituani, denoncoi një “provokim nga shërbimet e sigurisë ruse dhe bjelloruse, në të cilin u tërhoqën zvarrë qytetarë të Bjellorusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.

“Është e nevojshme të përmbahemi nga marrja e vendimeve dhe arritja në përfundime të nxituara që mund të dëmtojnë interesat kombëtare, sovranitetin dhe pavarësinë e Bjellorusisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore