Lajme

Bjellorusi/ Protesta kundër presidentit, 200 të arrestuar


Më shumë se 200 njerëz u arrestuan në të gjithë Bjellorusinë të enjten më 26 mars, gjatë protestave kundër presidentit, Alexander Lukashenko.

Në kryeqytetin, Minsk, kjo ishte pjesëmarrja e parë e konsiderueshme e demonstruesve, që kur protestat kanë filluar.

Ulja e temperaturave dhe ushtrimet e dhunës nga autoritetet policore, patën çuar në rënie të konsiderueshme të numrit të protestuesve .

Për të shmangur arrestimet në shkallë të gjerë, grupe të vogla marshuan nëpër oborre dhe rrugë dytësore. Policia vendosi forca të shumta në qendër të Minskut. Videot në mediat sociale treguan se policia arrestonte njerëzit, që mbanin flamuj me emblemën e opozitës.

Zëdhënësja e ministrisë së Brendshme, Olga Chemodanova, tha se më shumë se 200 njerëz u arrestuan në të gjithë vendin.

Vitin e kaluar, më shumë se 33 mijë njerëz u arrestuan. Ata morën pjesë në protesta kundër Lukashenkos dhe rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale.

Shumë prej të arrestuarve raportuan se ishin nënshtruar abuzimit fizik. Të enjten, policia arrestoi gjithashtu disa figura të larta të një organizate polake.

Arrestimet erdhën një ditë pasi udhëheqësja e tyre, Andżelika Borys, u dënua me 15 ditë burg për tubim të paautorizuar.

Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell,  u shpreh më herët se anëtarët e bllokut “i bëjnë thirrje Bjellorusisë të lirojë zonjat Andżelika Borys dhe Andrzej Poczobut menjëherë dhe pa kushte, së bashku me të gjithë të burgosurit politikë të arrestuar aktualisht”.

“Ne jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi të mëtejshëm të shtypjes kundër popullit Bjellorus, duke përfshirë fushata të orkestruara të persekutimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, gazetarëve dhe shoqërisë civile në Bjellorusi,” shtoi ai.

Situata në Bjellorusi

Protestat shpërthyen pasi u njoftuan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Autoritetet Bjelloruse vazhdojnë të godasin protestuesit paqësorë.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel, dënoi sjelljen e qeverisë bjelloruse kundrejt protestave që po zhvillohen në vend.

Në nëntor, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj presidentit Alexander Lukashenko dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.

Protestuesit në Bjellorusi kanë marshuar vazhdimisht kundër Lukashenko-s, që kur ai pretendoi një fitore të madhe në gusht dhe opozita e akuzoi atë për mashtrim elektoral.

Opozita atje refuzon të njohë fitoren e Lukashenkos, i cili drejton vendin që nga viti 1994.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore