Lajme

Gjendet antidoti i mundshëm për toksinën në kërpudhat më helmuese në botë


Shkencëtarët besojnë se kanë gjetur një antidot të mundshëm për një toksinë të fuqishme që gjendet në kërpudhat më helmuese në botë.

Kërpudha Amanita phalloides është përgjegjëse për rreth 90 për qind të vdekjeve të lidhura me kërpudhat globalisht.

Toksina e saj kryesore është një peptid i quajtur α-Amanitin, një lloj amatoksine që rezulton në dështimin e mëlçisë dhe veshkave.

Studiuesit kinezë dhe australianë kanë identifikuar se indocianin jeshile, një ngjyrë e miratuar aktualisht në SHBA për përdorim në imazherinë mjekësore, duket se bllokon efektet toksike të α-Amanitin.

Autori korrespondues i studimit, Qiaoping Wang i Universitetit Sun Yat-Sen në Guangzhou, Kinë, ka thënë se më parë nuk ekzistonte asnjë antidot specifik sepse dihet pak se si toksinat e kërpudhave vrasin qelizat.

Në teste, shkencëtarët zbuluan se indocianina jeshile ishte në gjendje të parandalonte dëmtimin e mëlçisë dhe veshkave që shkaktoheshin nga α-Amanitin.

Gjithashtu përmirësoi probabilitetin e mbijetesës pas helmimit.

“Teksa rezultatet janë premtuese, nevojiten eksperimente të mëtejshme klinike për të përcaktuar nëse indocianina jeshile ka efekte të ngjashme te njerëzit”, ka thënë Wang.

Një ekspert i kërpudhave, Brett Summerell, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, ka thënë se kërpudhat në fjalë ishin “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe toksike” dhe shpesh ngatërroheshin me kërpudha të tjera për shkak të ngjashmërive sipërfaqësore.

“Ato në fazat e hershme të rritjes mund t’i ngjajë disa prej kërpudhave, të cilat janë të njohura, veçanërisht në një sërë kuzhinash aziatike”.

“Në ato faza të hershme mund të jetë mjaft e vështirë të dallosh kërpudhat”.

Sipas tij, ato kanë një lidhje me rrënjët e pemës së lisit, kështu që nëse e gjeni nën një pemë lisi, duhet të jeni të kujdesshëm dhe dyshues.

Teksa toksinat që gjenden në disa kërpudha të tjera mund të degradohen nga nxehtësia, toksinat e Amanita phalloides janë të fuqishme gjatë gatimit.

“Helmimi nga kërpudhat është shkaku kryesor i vdekshmërisë në incidentet e helmimit me ushqim në mbarë botën”, theksojnë autorët e studimit.

Αlfa-Amanitin ushtron efektet e saj toksike në qeliza duke frenuar enzimat specifike të nevojshme për prodhimin e proteinave. Për të punuar, toksina mbështetet në një proteinë në trup të quajtur STT3B. Indocianina jeshile duket se funksionon duke frenuar funksionin e STT3B.

Studiuesit gjetën efekte të dobishme te minjtë e trajtuar me indocianin jeshil katër orë pas helmimit me α-Amanitin, por jo te minjtë e trajtuar vetëm tetë ose 12 orë pasi ishin ekspozuar ndaj toksinës.

“Kjo mund të jetë për shkak se ka shkaktuar dëme të pakthyeshme që nuk mund të shpëtohet. Kjo sugjeron që indocianina jeshile duhet të jepet sa më shpejt që të jetë e mundur gjatë trajtimit”.

Sakaq, hulumtimi është publikuar në revistën Nature Communications.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore