Lajme

Gjenden 5 zolla në afërsi të Manastirit të Banjës


Ilustrim

Policia e Kosovës ka gjetur pesë (5) zolla në afërsi të Manastirit të Banjës, aty ku ndodhi sulmi terrorist i 24 shtatorit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut.

Siç ka treguar Elshani, zollat e gjetura të mërkurën mund të jenë nga sulmi terrorist i vitit të kaluar.

“Janë gjetur pesë zolla, ka mundësi që janë nga sulmi i fundit i 24 shtatori”, ka thënë shkurtimisht Elshani për AP.

Sulmi terrorist në Banjë

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore