Shqipëria

Gjashtë rrugë për katër “bashkëpunëtorë”


Një nga botimet më me ndikim për hebrenjtë amerikanë, “The Forward”, ka publikuar një artikull, ku pasqyrohen gjerësisht “monumentet apo statujat e bashkëpunëtorëve të nazistëve nëpër botë”.

Pjesë e kësaj liste është edhe Shqipëria, me emërtimin e gjashtë rrugëve që përkojnë me “katër bashkëpunëtorë”.

Tirana – kryeqyteti i Shqipërisë – ka një rrugë që nderon Rexhep Mitrovicën, i cili u bë kryeministër në qeverinë “kukull” naziste të Gjermanisë në Shqipëri gjatë vitit 1943.

Çështja e fajësisë së Mitrovicës për Holokaustin është e ndërlikuar, shkruan “Forward”, sepse qeveria e tij kontrollonte dy territore: si Shqipërinë, edhe Kosovën.

“The Forward” ka dokumentuar secilën prej këtyre rrugëve dhe shkollave si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme, duke renditur publikisht të gjitha statujat, monumentet dhe ekspozitat e tjera publike të nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në mbarë botën.

Hebrenjtë në Kosovë dhe hebrenjtë në Shqipëri pasuan fate të ndryshme, vëren artikulli.

Në vitin 1944, Gjermania ngriti një njësi shqiptare në Waffen-SS, krahu ushtarak i Partisë Naziste.

Sipas gazetës hebreje, njësia e re, Divizioni i 23-të Malor Waffen i SS “Skënderbeu” ishte projektuar për të vepruar në Kosovë.

Qeveria e Mitrovicës, shkruan “Forward”, ndihmoi në krijimin dhe rekrutimin e vullnetarëve për divizionin.

Menjëherë pas krijimit të tij, SS “Skënderbeu” mblodhi dhe dëboi të paktën 281 hebrenj të Kosovës, shumë prej të cilëve u vranë në kampin e përqendrimit “Bergen-Belsen”.

Shqipëria

Shqipëria ishte i vetmi komb evropian që përfundoi Luftën e Dytë Botërore me më shumë banorë hebrenj sesa kur filloi lufta, thekson gazeta.

Për të provuar këtë, ka shumë dëshmi nga dëshmitarë okularë të familjeve dhe komuniteteve shqiptare që strehuan hebrenjtë.

Kjo u ndikua pjesërisht nga kodi i nderit i shoqërisë “Besa”, i cili kërkon mbrojtjen e të huajve dhe azilkërkuesve, përshkruan më tej “Forward”.

Të paktën një i mbijetuar deklaroi se qeveria e Mitrovicës refuzoi t’u dorëzonte nazistëve listat e hebrenjve në Shqipëri.

Fakti që hebrenjtë e Shqipërisë mbijetuan, bie në kontrast të fortë me rajone të tilla, si: Lituania dhe Ukraina.

Në këto vende bashkëpunëtorët ultranacionalistë masakruan hebrenjtë me iniciativën e tyre, shpesh përpara se të arrinin forcat gjermane, nënvizon në vijim artikulli.

“Forward” vëren sakaq se mungesa relative e hulumtimit të Holokaustit në Shqipëri e bën edhe më të errët këtë periudhë të ndërlikuar.

Ajo që është e sigurt, shkruan gazeta hebreje, është se Mitrovica dhe qeveria e tij ishin përgjegjëse për krijimin e SS “Skënderbeut”, i cili mori pjesë në Holokaust.

Tirana ka gjithashtu rrugë kushtuar Sokrat Dodbibës, ministrit të Financave të Mitrovicës (Dodbiba ka një rrugë shtesë në Elbasan) dhe Mehdi Frashërit, anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës.

Kryeqyteti ka një rrugë kushtuar Mid’hat Frashërit, të ashtuquajturit “babait të nacionalizmit shqiptar”.

Ky i fundit bashkëthemeloi Ballin Kombëtar në vitin 1942. Organizata i dha ndihmë ushtarake Rajhut të Tretë.

Frashëri ishte një ideolog, shkruan “Forward”, duke ndihmuar në formimin e filozofisë së Ballit Kombëtar “Shqipëria për Shqiptarët”.

Atij i kushtohet edhe një rrugë tjetër në Kavajë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore