Kulturë

“Gjaku i shprishur nga Albania”, pjesë e UNESCO-s?


Shtegtimi dhe qëndresa shekullore e arbëreshëve për ta ruajtur identitetin e tyre ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve, por edhe të njerëzve të thjeshtë.

Të vendosur në jug të Italisë prej gjashtë shekujsh, ata me fantatizëm kujdesen edhe sot për gjuhën, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.

Në të gjithë Italinë, sot njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe.

Kohët e fundit në media po qarkullon lajmi për paraqitjen zyrtare të kandidaturës për kulturën jomateriale, si Trashëgimi Kulturore Universale.

Drejtoresha e Qendrës për Studimet dhe Publikimet Arbëreshëve (QSPA), Diana Kastrati, në një prononcim për AlbanianPost, tha se “kjo nismë ka kohë që është ndërmarrë nga katedra e Universitetit të Palermos dhe Kalabrisë”.

E pyetur nëse QSPA-ja kishte bashkëpunuar në këtë nismë, ajo u përgjigj se “qendra ishte krijuar vonë dhe në përfundim të procedurave, kështu që qendra nuk ka qenë një bashkëpunëtore në këtë nismë”.

“Bashkëpunimi i QSPA-së me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, do të jetë një plus mbi studimet për historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh”, theksoi drejtoresha.

Francesco Altimari, president i fondacionit Francesco Solano dhe themelues i kësaj nisme, ka thënë në dhjetor 2020 se “nuk po shihen vetëm traditat, por edhe rrënjët e një trashëgimie evropiane”.

Rrugëtimi deri këtu

Për ruajtjen e këtyre riteve dhe interpretimin e saktë të tyre, Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO-s, i është dorëzuar nga Fondacioni Universitar “Franceso Solano”, dosja e plotë e argumentuar mbi arsyet se pse UNESCO duhet ta pranojë këtë kërkesë.

Për profesor Altimarin, kjo nismë “do të jetë edhe një shtysë për të mos u asimiluar identiteti dhe kultura arbëreshe në Itali”.

Edhe sot e kësaj dite, arbëreshët e cilësojnë veten si “gjak i shprishur nga Albania”. Kjo gjë nuk i ka penguar ata të bëhen pjesë e komunitetit italian.

Gjak i shprishur për arbëreshët do të thotë “i shpërndarë”.

Profesor Gjovalin Shkurtaj, studiues i gjuhës shqipe, saktëson dy pika kryesore që përcaktojnë linguistikën e arbëreshëve.

E para është ajo që arbërishtja e Italisë është gjuhë e folur dhe e shkruar.

E dyta, se deri vonë pjesa më e madhe e ngulmimeve arbëreshe nuk dinin gjuhë tjetër përveç saj.

Ata akoma pikturojnë ikonat dhe kanë tradita speciale të gatimit. Kanë veshjet, të cilat janë të pasura me bizhuteri dhe martesat bëhen me fustanet e tyre tradicionalë.

Në epokën e globalizimit, kur kufijtë janë gjithnjë e më tepër fluidë, të vetmit elementë që do të mbajnë gjallë kombet, janë ata identitarë. Trashëgimia jomateriale përfshin elementë si gjuha, kultura, traditat, zakonet.

Veshje tradicionale e arbëreshëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore