Sport

Gianluigi Donnarumma, gardiani i ri i PSG-së


‘Saga’ Gianluigi Donnarumma po vjen drejt fundit.

Portieri i Italisë do t’i bashkohet klubit francez, Paris Saint-Germain, si transfer i lirë.

Donnarumma ka refuzuar që të rinovojë kontratën me Milan-in, klub ky nga i cili largohet pas afro një dekade.

Gazetari italian, Fabrizio Romano, konfirmon që Donnarumma do të kryej testet mjekësore me PSG-në nesër.

Për shkak të EURO 2020, ato do të kryhen në Itali.

Donnarumma zhvillon sonte ndeshjen e fundit në grupe, me Italinë që do të përballet me Uellsin.

Firenze është vendi i zgjidhur për të kryer testet, dhe kontrata do të nënshkruhet menjëherë pas tyre.

Donnarumma pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me PSG-në, me një pagë vjetore prej 10 milionë euro.

Problemi kryesor i këtij nënshkrimi, do të jetë portieri tjetër i PSG-së, Keylor Navas.

Edhe kostarikani gëzon një kualitet të jashtëzakonshëm, me Pochettino-n që do ta ketë shumë të vështirë zgjedhjen e gardianit startues.

Për këtë arsye, një huazim i mundshëm i Donnarumma-s mund të ndodhë.

Gjithçka do të vendoset pas EURO 2020, kur ekipi parisien do të grumbullohet për përgatitjet e sezonit të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore