Kosova

Gërxhaliu: Urgjentisht të bëhet themelimi i Odës Ekonomike Kosovë-Shqipëri


Njohësi i çështjeve ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu

Njohësi i çështjeve ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu, ka potencuar se “problemet” e Ballkanit Perëndimor kanë nxjerrë në pah nevojën urgjente të themelimit të Odës Ekonomike në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Themelimi i një ode të tillë ka avantazhe në aspekte shumë dimensionale. Disa shtete Kosovën dhe Shqipërinë tani e shohin vetëm si treg për të plasuar prodhimet si pasojë e mungesës së diplomacisë ekonomike dhe për të promovuar aktivitetet, ndërmarrësinë dhe prodhimet në dy anët e kufirit”, është shprehur ai për Albanian Post.

Gërxhaliu u ka bërë ftesë udhëheqësve të të dy vendeve që në mbledhjen e radhës të vendosin për themelimin e një ode të tillë.

“Ftoj dy kryeministrat të marrin vendim në mbledhjen e ardhshme të qeverive që do të mbahet në nëntor të marrin vendim për themelimin e Odës Ekonomike, mes dy vendeve Kosovë-Shqipëri, ky do të ishte një hap i madh për bizneset në dy anët e kufirit”.

Ilustrim

Sipas tij, kjo odë do të ishte një arritje dhe do të tregonte se Kosova dhe Shqipëria si dy vende të një kombi kanë potenciale për bashkëpunim ekonomik e tregtar.

Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një odë ekonomike të ndërtuar në bazë të strukturave të reja profesionale dhe jo nga ato të asociacioneve ekzistuese.

“Nëse sot, Asociacioni më i fuqishëm lobues në Shqipëri është Oda Serbo-Shqiptare, a nuk është turp i kohës të mos ekzistojë edhe Oda Ekonomike Shqipëri-Kosovë”.

“Kjo odë duhet të jetë e orientuar dhe e ndërtuar mbi profesionalizëm që përmes rëndësisë ekonomike dhe integruese do të kishte komponentët psikologjikë dhe kombëtarë që në botë të përmirësohet imazhi për ne, si dy ekonomi komplementare të hapura për bashkëpunim ekonomik me çdo kënd por në suaza të barabarta”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore