Lajme

Gërvalla takohet me ambasadorët: Urova për një partneritet sa më të fuqishëm në 2024-ën


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të martën është takuar me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se i ka falënderuar ata për bashkëpunimin dhe qëndrimet e tyre.

“Në pritjen tradicionale për korin diplomatik të akredituar në Republikën e Kosovës, të mbajtur në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pasi i përgëzova ambasadorët e akredituar në Kosovë për bashkëpunimin e mirë dhe intensiv gjatë vitit që lamë pas”.

“I falënderova për qëndrimin e tyre në mbështetje të proceseve të vështira që kaluam gjatë vitit 2023, duke uruar një bashkëpunim dhe partneritet sa më të fortë në vitin 2024”, ka shkruar ajo.

Më 18 janar, Gërvalla, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), akuzoi Bashkimin Evropian (BE) për mospublikimin e rezultateve të hetimit për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

Shefja e diplomacisë kosovare theksoi se ndonëse Forcës së NATO-s (KFOR) dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) i janë ofruar raporte, prova dhe dëshmi të aktit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023, nuk ekziston një reagim serioz nga BE-ja.

Ndërsa shtoi se BE-ja ende ka iluzione se Serbia do të largohet nga krahët e Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore