Lajme

Gërvalla pas takimit me Osmanin: Biseduam për implementimin e marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit


Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, ka bërë të ditur se kanë biseduar për implementimin e marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.

Gërvalla, gjatë konferencës deklaroi se është Maqedonia e Veriut, ajo që i depoziton marrëveshjet dhe merret me implementimin e tyre.

“Biseduam gjithashtu edhe për implementimin e marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor të vitit të kaluar, për shkak se republika e Maqedonisë së Veriut i depoziton marrëveshjet dhe merret me implementimin e tyre, ndërkohë që konstatuam se Maqedonia e Veriut, Shqipëria edhe Republika e Kosovës i kanë ratifikuar dhe po merren me implementimin e tyre”, tha Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se ka shprehur mirënjohje ndaj ministrit Osmani për një sërë çështjesh që u qëndrojnë afër Kosovës.

“Falënderova kolegun Osmani gjithashtu edhe në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme për bashkëpunimin që e kemi me Republikën e Maqedonisë së Veriut, diskutuam thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha dhe u pajtuam që të dy qeveritë kemi nevojë të punojmë edhe më shumë, jo vetëm në implementimin e marrëveshjeve që kemi deri sot por sidomos në gjetjen e mënyrave të tjera të bashkëpunimit”.

“Po ashtu shpreha mirënjohje edhe për rolin e tij si kryesues i OSBE-së, në hapjen e dialogut dhe debatit për tema të cilat janë të rëndësishme për hapjen afatgjate”.

Tutje ka theksuar se Ballkani Perëndimor, nuk ka nevojë të jetë “rajon konflikti”.

“Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë të jetë rajon konflikti, por është një rajon i fqinjëve që bashkëpunojnë mbi baza serioze të respektit të ndërsjellët dhe prodhojnë në këtë mënyrë rezultate të jashtëzakonshme”.

“Biseduam për zhvillimet në botë, në rajon e në Evropë, biseduam edhe për punën e OSBE-së, për rolin e OSBE-së që luan në zhvillimet e përgjithshme, por gjithashtu edhe për rolin e OSBE-së që ka luajtur në Kosovë gjatë së kaluarës, por edhe sot”.

Të enjten e 23 shkurtit, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tri marrëveshjet e dalura nga Procesi i Berlinit, e të cilat ishin nënshkruar në fillim të nëntorit të vitit 2022 nga liderët e gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Kuvendi kishte miratuar marrëveshje, atë për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën.

Po ashtu, u miratua Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore