Kosova

Gërvalla në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, flet për sigurinë në rajon


Donika Gervalla dhe Michael Carpenter

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me Drejtorin e ri për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Carpenter, me të cilin ka folur për sfidat globale dhe rajonale të sigurisë dhe “nevojat e bashkëpunimit të ngushë mes Kosovës dhe SHBA për përballimin dhe tejkalimin e tyre”.

Ky takim është zhvilluar gjatë vizitës në Uashington të Gërvallës, ku e ka njoftuar ambasadorin Carpenter “rreth përparimit të bërë gjatë këtyre tri viteve sidomos në demokratizimin e vendit, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë,  fusha këto në të cilat Republika e Kosovë është lidere në Ballkanin Perëndimor”.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme, kryediplomatja theksoi më tej “vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor, drejtësi, zhvillim ekonomik, por njëkohësisht edhe paqe e stabilitet në rajon”.

“Gjatë këtij takimi u ritheksua miqësia e fortë dhe e qëndrueshme midis SHBA-së dhe Kosovës, e cila vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e sigurisë dhe zhvillimit në rajon”, potencohet aty.

Ndryshe, marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-ve nuk janë në nivelin më të mirë të mundshëm.

ShBA-të – së fundmi – kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për aksionin në Veri, ku u mbyllën disa degë të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore