Lajme

Gërvalla: Kosova s’ka pranuar ftesë zyrtare për Open Balkan


Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme edhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në kuadër të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se Kosova nuk ka pranuar asnjëherë ftesë zyrtare sa i përket iniciativës Open Balkan.

Sipas saj me iniciativën në fjalë është tentuar të krijohet një paralele jo vetëm për rrugën drejt Bashkimit Evropian por edhe procesit të Berlinit.

“Jemi deklaruar qartë se as nuk kërkojnë alternativa ndaj anëtarësimit në BE e as për iniciativat që më shumë janë fjalë goje. Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjëherë një përshkrim për çfarë është Open Ballkan e nuk ka marrë as një ftesë zyrtare për të qenë pjesë e saj përveç asaj që është deklaruar”, ka thënë ajo.

Sipas Kryediplomates kosovare dikasteri të cilën ajo e drejton ka bërë hapa konkrete sa i përket marrëdhënieve me pesë shtetet mos njohëse të BE-së.

Sipas saj me katër nga pesë shtete mos njohëse, Kosova është në proces të krijimit të marrëdhënieve serioze ekonomike dhe politike.

Megjithatë ajo nuk ka dhënë detaje më të hollësishme se cilat mund të jenë ato shtete.

Donika Gërvalla në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë

“Kemi progres të dukshëm në thellimin dhe përmasimin e marrëdhënieve me shtetet me të cilat kemi partneritet të mirë në të kaluarën, kemi gjithashtu një përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve me shtete të cilat ka pasur ngecje”, ka thënë Gërvalla.

“Jemi të fokusuar shumë në njohje të rreja sa i përket pesë shteteve anëtare të BE-së, kemi përgjithësi progres përjashtim të një shteti, me katër shtete të tjera kemi biseda të mira, nuk mund të them se jemi në proces të njohjes por jemi në proces të krijimit të marrëdhënieve serioze ekonomike dhe politike”, ka thënë Gërvalla

Gërvalla gjatë raportimit ka folur edhe për çështjen e vizave për Kosovën, duke theksuar se Francës do ti hiqet skepticizmi sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën pas zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohet në këtë vend.

“Nuk dua të përjashtoj mundësinë që shumë shpejt të kemi ndryshim të kësaj qasje. Ne shpresojmë që më së voni pas zgjedhjeve në Francë do të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore