Lajme

Gërvalla jep leksion prapë në Slloveni: Na duhet strategji e guximshme kundër Putin-it


Donika Gërvalla dhe Tanja Fajon.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, s’e ka lëshuar rastin as në udhëtimin e saj të fundit në Slloveni për të dhënë leksione në politiken e jashtme të Evropës.

E ftuar në samitin strategjik të Bledit, ajo ka ndarë në platformën ‘X’ mendimet e saj për strategjinë evropiane, duke përmendur sërish presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Ne kemi nevojë për një strategji të qartë dhe të guximshme për të siguruar demokracitë perëndimore kundër agresionit të Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, ka shkruar Gërvalla.

Teksa, është shprehur e lumtur që po merr pjesë në Forumin e Bledit në Slloveni.

“Është mirë që jam kthyer në Slloveni për të folur për hapat e ardhshëm të rrugës sonë të përbashkët evropiane me kolegen time të dashur, Tanja Fajon, dhe shumë të tjerë në Forumin e Bledit në Slloveni”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të qëndrojë në Bled të Sllovenisë, ku po merr pjesë në forumin strategjik atje, bashkë me shumë liderë të Ballkanit Evropian dhe të Evropës, derisa ka ndarë përshtypjet e tij nga darka e mbrëmshme jo formale.

Qeveria e Kosovës përmes komunikatës njoftoi se gjatë këtij takimi Kurti ka diskutuar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në 2022 në Procesin e Berlinit, duke përmendur “zbatimin e plotë të tri marrëveshjeve të Berlinit”, para samitit të Tiranës.

“Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkroi Kurti duke theksuar kështu faktin që Bosnja dhe Hercegovina nuk po e miraton marrëveshjen e arritur për lëvizjen e lirë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin”, ka deklaruar Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë.

I kthyer tashmë në një traditë që merr jetë në fund të verës, “Bled Strategic” hap zyrtarisht punimet ketë të hënë të 28 gushtit.

Si një platformë gjithëpërfshirëse vihet re një pjesëmarrje e larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e XXI-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore