Kosova

Gërvalla: Jemi të gatshëm për të organizuar zgjedhje të reja në Veri


Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se Qeveria është e gatshme për të organizuar zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

“Kosova është e hapur ndaj mundësisë së zgjedhjeve të reja në katër komuna veriore me shumicë serbe pas trazirave, por hapa të tjerë duhet të ndërmerren para kësaj”, tha ajo pas takimit me homologun e saj nga Çekia, Jan Lipavsky në Prag.

Ajo theksoi se Kosovës i duhet gjithashtu “një garanci nga Serbia që nuk do të kërcënojnë më qytetarët serbë të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje”.

Ndërkaq sipas njoftimit të MPJ-së, Gërvalla përveç takimit me ministrin Lipavsky, do të takohet ndër të tjera me ministrin çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak dhe nënkryetaren e parë të Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Çekisë Vera Kovarova.

“Krahas takimeve zyrtare ministrja Gërvalla do të takojë studentë dhe profesionistë të mërgatës sonë në Çeki si dhe do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e vizitës së saj”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se me dy diplomatët ka biseduar për zgjedhjet e reja në Veri.

“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst. Duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftim për media nga presidenca.

Më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore