Lajme

Gërvalla godet Aliun para Kurtit: Kosova s’është e përkohshme


Liburn Aliu

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për shtyp, të mërkurën në Prishtinë, ka goditur homologun kosovar, Liburn Aliu, lidhur me deklaratën skandaloze se Kosova është “projekt i përkohshëm”, madje para kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kosova është shtet i ndërtuar nga sakrifica e papërshkrueshme e të gjithë qytetarëve, as e përkohshme e as sipërfaqësore, të cilën me punë dhe përkushtim e ndërtojmë çdo ditë nga pak”, ka thënë kryediplomatja kosovare.

Deklarata e ministrit Aliu kishte shkaktuar shumë reagime në mesin e opinionit publik në Kosovë, përfshirë liderët e partive politike në vend. Kryeministri i Kosovës si individ e Lëvizja Vetëvendosje si kolektiv, gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë e kishin ndërtuar identitetin e tyre politik mbi kauzën nacionaliste të “bashkimit kombëtar”.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë mbajtur një konferencë për shtyp, ku kanë prezantuar disa nga “sukseset” e qeverisjes gati tre vjeçare, në prag të përmbylljes së një viti që ka qenë vërtetë vit i rrethanave të jashtëzakonshme e rrjedhimisht, një vit i zhvillimeve sfiduese, posaçërisht sa i përket zhvillimeve në pjesën veriore të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore