Lajme

Gazetës ruse të lajmeve “Novaya Gazeta” do t’i hiqet licenca


Një nga organet e pavarura të lajmeve në Rusi, Novaya Gazeta, është nën kërcënim.

Mbikëqyrësi i atjeshëm i mediave ka kërkuar që faqja e gazetës në internet dhe versioni i saj i shtypur të mos ta kenë më të drejtën e licencës.

“Agjencia ruse e censurës Roskomnadzor, ka kërkuar që certifikata e regjistrimit të Novaya Gazeta të shpallet e pavlefshme”, ka deklaruar ajo.

Masa vjen pas dy paralajmërimeve për shkelje të supozuara nga mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve.

Në mars, Novaya Gazeta ka njoftuar se po pezullonte operacionet për kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë pasi u bë krim të raportosh çdo gjë mbi konfliktin që devijonte nga linja e qeverisë.

Pezullimi i përkohshëm u krijua për të shpëtuar botimin nga mbyllja mes ligjeve drakoniane që në thelb kanë ndaluar çdo kritikë ndaj ofensivës së Rusisë në Ukrainë.

Asokohe, kryeredaktori Dmitry Muratov ka thënë se paralajmërimet formale ishin shpagim për mbulimin e ofensivës nga gazeta dhe përpjekjet e saj për të vlerësuar “humbjet dhe shkatërrimin”.

Këtë, si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë.

Sipas Novaya Gazeta, Roskomnadzor është paraqitur në gjykatë duke kërkuar që të anulohej licenca mediatike e faqes së internetit të gazetës.

“Roskomnadzor i kërkoi gjykatës që të shpallë të pavlefshme licencën e medias së shkruar Novaya Gazeta për shkak se redaksia nuk ka dhënë statutin e saj editorial brenda afatit kohor të përcaktuar me ligjin për median”, ka thënë agjencia.

Sakaq, gazeta nuk e kupton pse një kërkesë e tillë është bërë tani.

“Pse janë ngritur paditë katër muaj pas dhënies së paralajmërimeve, çfarë ka ndryshuar? A është politike?”, ka pyetur ajo.

Kurse Roskomnadzor ka deklaruar se “legjislacioni rus kërkon respektim të rreptë të masave që synojnë parandalimin e shpërndarjes së informacionit të ndaluar dhe jo të besueshëm”.

Sipas agjencisë, mbrojtja e qytetarëve rusë nga materialet e rrezikshme duhet të jetë prioritet jo vetëm për agjencitë qeveritare ruse, por edhe për pronarët e mediave dhe burimeve të internetit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore