Lajme

Gazetari irakian nuk është penduar që i hodhi këpucën Bush-it


Gazetari irakian Muntazer al-Zaidi fitoi famë kur gjuajti këpucët e tij ndaj presidentit amerikan George W. Bush në një konferencë shtypi.

Gjesti i famshëm ishte për të treguar zemërimin e tij ndaj korrupsionit dhe kaosit që pasoi pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-të në 2003.

Por, ai është ende i tërbuar dhe nuk është penduar kurrë që ka hedhur këpucët e tij.

“Të njëjtët njerëz që hynë 20 vjet më parë me okupatorin ende sundojnë pavarësisht dështimeve dhe korrupsionit. Shtetet e Bashkuara e dinë shumë mirë se sollën pseudo politikanë”, i tha ai Reuters, duke rrëfyer veprimet e tij në vitin 2008 gjatë konferencës për mediat në Bagdad.

Bush, i cili po qëndronte pranë kryeministrit të atëhershëm irakian, Nuri al-Maliki, u përkul për të shmangur këpucët që vërviteshin drejt tij nga pjesa tjetër e dhomës. Hedhja e këpucëve ndaj dikujt është një fyerje e thellë në botën arabe.

“Kjo është një puthje lamtumire nga populli irakian, qen!”, bërtiti Zaidi përpara se zyrtarët e sigurisë ta nxirrnin jashtë.

Bush ishte kritikuar në të gjithë Lindjen e Mesme për vendimin e tij për të rrëzuar Sadam Husein-in, një veprim i nisur bazuar në inteligjencën e gabuar të SHBA-ve se udhëheqësi irakian kishte grumbulluar armë të shkatërrimit në masë.

Zaidi, i cili kreu gjashtë muaj burg për sulmin ndaj një kreu të shtetit vizitues, u nis për në Liban pas lirimit të tij, por u kthye për të kandiduar për një ulëse në parlamentin irakian në vitin 2018 duke kërkuar të luftojë korrupsionin, megjithëse oferta e tij për zgjedhje dështoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore