Lajme

Gastronomët kërkojnë heqjen e orës policore në Kosovë


Policia e Kosovës

Përmes një reagimi në Facebook Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar lehtësimin e masave anti-COVID, duke përfshirë këtu, rritjen e orarit të funksionimit, rritjen e kapaciteteve të brendshme dhe heqjen e orës policore.

“I kemi ofruar Ministrisë së Shëndetësisë argumente të mjaftueshme që nuk kanë kuptim të mbahen kufizimet në fuqi përderisa jemi duke operuar me kujdes sa i përket klientëve që po i frekuentojnë lokalet tona”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve.

“Masat duhet të lehtësohen, gjendja epidemiologjike është stabile, procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, gjithsesi duke vazhduar me kontroll ndaj klientëve tanë”.

“Rrjedhimisht, orari i funksionimit të bizneseve duhet të bëhet në pajtim me rregulloret komunale për orarin e punës së bizneseve, shfrytëzimi i kapaciteteve të brendshme duhet të rritet, ora policore duhet të hiqet! Ejani të ulemi bashkë dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur, me kujdes për shëndetin publik dhe atë ekonomik”.

Sipas tyre, këto masa po vlejnë përsëri vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve, pasi sipas tyre “ka kaluar më shumë se një muaj që kërkesat tona po bijnë në vesh të shurdhër nga Ministria e Shëndetësisë”.

“Fatkeqësisht masat e fundit përsëri po vlejnë vetëm për kufizimin e veprimtarive të bizneseve, ndërsa partitë politike përsëri po e bëjnë të njëjtën gjë, duke organizuar fushata që janë në kundërshtim me këto masa”.

Ndryshe më 7 tetor, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka vlerësuar se masat ekzistuese anti-COVID duhet të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme. Kjo për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor dhe fushatës zgjedhore.

Bazuar në komunikatën për media nga Asociacioni i komunave të Kosovës, në takimin e mbajtur të këtyre të fundit me ushtruesen e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, thuhej se AKK ka kërkuar heqjen e orës policore dhe mos-mbajtjen e maskës kur një person është duke ecur vetëm.

Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, në takim me Asociacionin e komunave të Kosovës

“Vlerësimi i përgjithshëm është që këto masa të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme sidomos tani që ka nis shkolla dhe kemi fushatën për zgjedhjet lokale me 17 tetor”, thuhej në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore