Shqipëria

Gara për kreun e Prokurorisë së Tiranës, KLP-ja skualifikon Kreshnik Ajazin


Kreshnik Ajazi, të enjten e 26 majit është skualifikuar nga gara për kreun e Prokurorisë së Tiranës.

Ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili me shumicë votash skualifikoi nga gara Ajazin. Kjo sepse ai kishte pengesa ligjore pasi është drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3-vjeçar.

Kandidat i vetëm mbetet Arens Çela. Komisioni do të kryejë verifikimet ligjore.

Çela ka marrë edhe detyrën si kryeprokuror i përkohshëm pas shkarkimit të Elisabeta Imerajt më 27 prill.

Imeraj u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelit, dhe gara për kreun e Prokurorisë u hap pas kësaj.

Arens Çela
Pse u shkarkua Imeraj?

Drejtuesja e trupës gjykuese, Ina Rama, deklaroi se kryeprokurorja e Tiranës nuk justifikonte pasurinë.

“Për pasurinë 2 mijë e 500 metra katrorë tek ish-fusha aviacion, subjekti nuk ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet nuk ka burime. Për apartamentin e ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë”, tha ajo të mërkurën e 27 prillit.

Gjithashtu, sipas Ramës, për kreditë e marra në 2006-ën dhe në 2008-ën, subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë pasur pamjaftueshmëri për shlyerjen e tyre.

Sipas trupës gjykuese, Imeraj ka treguar sjellje jo profesionale, duke kontaktuar përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Seanca në KPA ndaj Imerajt nisi të martën e 12 prillit.

Elisabeta Imeraj

KPA-ja mori vendimin për rihapjen e hetimit, ku do të merreshin për bazë edhe provat e depozituara nga vetë Imeraj.

Gjatë seancës, KPA-ja rrëzoi edhe kërkesën e Imerajt për thirrjen e dëshmitarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore