Sport

Futbollisti i Feyenoord-it refuzon ta bartë shiritin e kapitenit me ngjyrat e LGBTQ+


Komuniteti LGBTQ+ ka marrë një përkrahje te madhe në kohët e fundit. Këtë gjë e ka bërë edhe bota e futbollit, teksa së fundmi, shiriti i kapitenëve të skuadrave është ngjyrosur me ngjyrat e ylberit.

Megjithatë, së fundmi një shirit i tillë i kapitenit është refuzuar të bartet nga një kapiten.

Bëhet fjalë për futbollistin e Feyenoord-it, Orkun Kokcu, i cili u tërhoq nga roli i tij për ndeshjen ndaj AZ Almaar.

Kokcu nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale theksoi se për shkak të besimit të tij, nuk ishte personi i duhur për të përcjellë një mesazh të tillë.

“Kam vendosur që të mos e mbaj shiritin me ngjyrat e ylberit. Është e rëndësishme të theksoj se unë respektoj këdo pavarësisht zgjedhjeve në jetë, secili është i lirë të jetojë si të dëshirojë”, theksoi fillimisht futbollisti turk.

“Unë e kuptoj mirë edhe mesazhin që kërkon të përcjellë sporti në lidhje me komunitetin LGBTQ+, por për shkak të besimit tim nuk ndihem si personi i duhur për ta mbajtur shiritin”, shtoi Orkun Kokcu.

“Nuk ndjehem rehat dhe e kuptoj që disa njerëz mund të jenë të zhgënjyer nga veprimi im, por absolutisht nuk është ky qëllimi. E di që edhe shumë persona mund të mos i besojnë fjalët e mia, por shpresoj të kuptojnë se një vendim i tillë vjen si pasojë e besimit tim dhe mendoj se diçka e tillë duhet respektuar”, u shpreh Kokcu.

Pas kësaj zgjedhje të Kokcu, shiritin me ngjyrat e ylberit në ndeshjen ndaj AZ Alkmaar e mbajti lojtari austriak, Gernot Trauner.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore