Shqipëria

Fushata zgjedhore zyrtarisht e hapur, ku zhvillohen betejat kryesore?


E premtja e 14 prillit ka shënuar edhe hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në Shqipëri, sa i takon votimeve të 14 majit 2023, ku pritet të zgjidhen 61 kryetarët e rinj të bashkive në vend, si edhe këshillat bashkiakë.

Pas zgjedhjeve anemike të katër viteve më parë, ku opozita i bojkotoi ato dhe gjithçka ju la në dorë socialistëve, këto vendore do të shohin një garë reale, me disa fronte konkurrente dhe me beteja të përqendruara në disa rajone.

Ndërsa sondazhet e para kanë filluar sa i takon kandidatëve dhe partive politike, këto do të jenë disa prej betejave kryesore në gjithë vendin.

Kryeqyteti

Tirana për nga natyra, ka qenë gjithnjë pikë me interes, sa i takon zgjedhjeve.

Pavarësisht se në dy dekadat e fundit, socialistët kanë treguar epërsi të ndjeshme në elektoratin kryeqytetas, beteja bëhet interesante këtë herë, sepse nuk do të ketë thjesht dy, por plot gjashtë kandidatë nga disa fronte.

Kjo, pavarësisht se jo të gjithë mund të etiketohen si kandidatë seriozë, të cilët mund të marrin numër të lartë votash.

Socialistët rikandidojnë kreun aktual, Erion Veliaj, i cili jo vetëm që është favorit, por e ka thuajse të blinduar fitoren, duke parë opozitën e përçarë.

Koalicioni Bashkë Fitojmë, ku Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë bashkuar forcat, kanë sjellë Belind Këlliçin si rival të Veliajt për bashkinë më të madhe në vend.

Këlliçi prej disa javësh është i angazhuar në fushatë dhe sondazhet e japin figurën e tij në rritje, por jo aq sa për të mundur Veliajn.

Për më tepër, partia zyrtare Demokratike, ajo e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj me në hije Lulzim Bashën, kanë sjellë alternativën e tyre në kryeqytet: Roland Bejkon.

Një tjetër figurë interesante që garon në Tiranë, është ajo e Arlind Qorrit, i cili me partinë e sapokrijuar, Lëvizja Bashkë, pret të mbledhë gjithë të pakënaqurit ndaj pushtetit dhe opozitës në vend.

Teksa, dy garuesit e tjerë, Lajla Përnaska dhe Marko Dajti, nuk pritet të sjellin surpriza.

Shqipëria e Mesme

Durrësi dhe balanca e qytetit bregdetar kanë treguar në vite se mund të sjellin një garë interesante.

Sërish, socialistët kanë pasur pushtetin vendor në dy dekadat e fundit, por votimet jo pak herë kanë pasqyruar rezultate të ngushta.

Në këto zgjedhje, Emirjana Sako, kryetare aktuale e bashkisë, do të vihet përballë kandidatit të Berishës, Igli Cara – një figurë e njohur dhe e respektuar në Durrës, i cili edhe në sondazhe paraqitet shumë pranë Sakos në garë.

Po ashtu, edhe në Elbasan pritet të ketë një “dyluftim” të fortë mes kreut aktual socialist, Gledian Llatja dhe Luçiano Boçit.

Ky i fundit la mandatin e deputetit nga radhët e PD-së, për të qenë pjesë e garës dhe sondazhet, e paraqesin në pozitë të afërt me Llatjan.

Në Kamëz, demokratët kanë një bastion të rëndësishëm, por me drejtimin që ka marrë socialisti Rakip Suli në katër vitet e fundit, ka fituar mbështetje në elektorat, falë një sërë veprash infrastrukturore të realizuara, përfshi edhe ndërtimin e shkollave e kopshteve të reja dhe rrugëve.

Përballë, do të ketë kandidatin e Partisë Demokratike, Bilbil Bajraktari, i cili synon të vijojë traditën e fitoreve të PD-së në pushtetin vendor.

Mirëpo, rivali i vërtetë i Sulit, është Arjan Hoxha, i cili garon nën logon e Bashkë Fitojmë dhe mbështetet nga Berisha.

Përçarja e demokratëve gjithsesi në këtë bashki, mund ta favorizojë ndjeshëm Sulin.

Kryeqyteti i Veriut

Shkodra, në mënyrë të padiskutueshme paraqet ndoshta garën më interesante të zgjedhjeve vendore të majit.

Bastion historik i demokratëve, i njohur si kryeqyteti i veriut, këtë herë do të shohë përballë kryetarin aktual, Bardh Spahia, i cili është zgjedhur nga radhët e koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 dhe ka ushtruar mandatin për një vit.

Përballë, do të ketë ish-deputetin e majtë, Benet Beci, i cili me mbështetjen e një “socialisti të ri”, Agron Çela, i cili i la radhët e Partisë së Lirisë dhe u bashkua me PS-në në fillimviti.

Çela, ashtu si edhe Beci vetë, njihet për ndikimin që ka në elektoratin shkodran dhe madje, pjesë të agjendës së tij të deklaruar që në fillim të kalimit në kampin socialist, ka qenë pikërisht marrja e pushtetit vendor në Shkodër nga socialistët – një mision historik në bastionin e djathtë.

Jo shumë surpriza

Përtej garave të luftuara në qendrat e mëdha urbane, pak pritet të ngjajë në qytete të tjera, ku rezultatet kanë qenë të qëndrueshme prej vitesh.

Demokratët – ata të Berishës – kanë më së shumti shanse të fitojnë në qendrat veriore, ku disa bashki kanë pasur historikisht elektorat të majtë dhe kanë fituar aty bindshëm.

Konkurrim i fortë do të jetë ai në Kukës dhe Dibër. Po ashtu, interesante do të jetë të shihet si do ta mbajë Pjerin Ndreu ndikimin e tij në Lezhë, pas mandateve të njëpasnjëshme në krye të bashkisë.

Në jug ndërkohë, vetëm minoritetet pritet të kenë gara interesante, ku disa kandidatë garojnë në Pustec, Dropull, apo Finiq.

Sa i takon Vlorës, kandidati i ri socialist, Ermal Dredha, pritet të fitojë në bastionin e të majtëve, njëjtë si kreu aktual i Bashkisë Fier, Armando Subashi.

Gjendje stabël në kampin socialist duket edhe ajo në Korçë, Berat dhe Lushnjë, ku pritet të fitojnë të majtët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore