Shqipëria

Mbi 664 mijë të vaksinuar në Shqipëri


Shqipёria ka arritur tё vaksinojё mbi 664 mijё qytetarё që prej fillimit të fushatës së vaksinimit. Lajmin e ka bёrё tё ditur, Ministrja e Shёndetёsisё, Ogerta Manastirliu pёrmes njё postimi nё Twitter.

Të vaksinuar me të dyja dozat ndërkaq, janë mbi 200 mijë qytetarë. Pjesa më e madhe prej tyre, janë të moshuar mbi 70 vjeç.

Ulje drastike kanë pësuar edhe rastet e reja me Covid në gjithë vendin. Vetёm 8 raste të tilla u shёnuan pёr herё tё parё nё qytetin e Tiranёs, ndёrsa 39 rezultuan pozitivё nё tё gjithё Shqipёrinё.

Aktualisht në spitalet Covid janë duke u trajtuar 83 pacientë. Shtatë prej tyre ndodhen në terapi intensive.

Lajm i mirë është se gjatë 48 orëve nuk ka pasur asnjë pacient në intubim. Ditёn e djeshme humbёn jetёn dy pacientё me Covid-19.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore