Lajme

Ftesa e munguar: Kurti fton të gjithë kryetarët e komunave, përveç atyre të Leposaviqit e Zubin Potokut


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarët e komunave të Kosovës.

Por, në këtë takim i cili është paralajmëruar se do të mbahet këtë të hënë nga ora 10:00 në ndërtesë të Qeverisë, nuk janë ftuar të gjithë kryetarët e rinj të katër komunave veriore të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

I kontaktuar nga Albanian Post, kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka thënë se nuk është ftuar në takim.

“Ne nuk na ka ftuar askush, kështu që nuk do të jem pjesë e takimit.

As kryetari i ri Izmir Zeqiri, i cili do të udhëheqë me komunën e Zubin Potokut nuk është ftuar.

“Kam dëgjuar nga kolegët, por mua nuk më ka ardhur asnjë ftesë për këtë takim”, ka deklaruar ai për Albanian Post.

Për dallim nga dy të parët, kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci ka treguar se ka marrë ftesë dhe se do të shkoj në takim me kryeministrin.

“Po na e ka dërguar ftesën”, tha Peci për Albanian Post.

“Unë do të takohem njëherë më ministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal sepse na duhet të flasim për disa çështje për komunë të Zveçanit, e pastaj të shohim a po mbërrijmë në kohë, por po na ka dërguar ftesë dhe do të shkojmë”, ka treguar Peci.

Ftesë për takim me kryeministrin thotë të ketë marrë edhe kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

Në një prononcim të shkurtër për Albanian Post, Atiq ka deklaruar se “po kam marrë ftesë dhe do të jem në takim”.

Katër kryetarët e rinj në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan akoma nuk kanë dhënë betimin për të drejtuar komunat në të cilat janë zgjedhur në procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor të 23 prillit.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 57, nëse katër kryetaret e sapo zgjedhur nuk japin betimin në afat prej 30 ditësh nga certifikimi ata automatikisht e humbasin mandatin.

Procesi zgjedhorë për kryetarë komune, në katër komunat veriore të Kosovës, janë certifikuar më 28 prill nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Këtë të hënë, do të mbahet takimi koordinues i radhës në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrave dhe zëvendësministrave nga kabineti qeveritar, si dhe kryetarëve të komunave.

Sipas njoftimit për medie nga zyra e Kryeministrit, në këtë takim “pritet të diskutohen tema me interes për nivelin lokal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore