Lajme

FSB-ja po punon për të rrëzuar qeverinë e Moldavisë


FSB-ja kanalizoi dhjetëra miliona dollarë prej kompanive më të mëdha shtetërore ruse për të zhvilluar një rrjet politikanësh pro-rusë në Moldavi dhe për të riorientuar vendin drejt Moskës zyrtare.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta amerikane “The Washington Post”, duke iu referuar dokumenteve të inteligjencës dhe intervistave me zyrtarë ukrainas, moldavë dhe perëndimorë.

Publikimi amerikan vuri në dukje se shërbimi special rus mbështet politikanin 35-vjeçar moldav Ilan Shor, i cili aktualisht ndodhet në mërgim në Izrael.

Së fundi partia e tij “Shor” po organizon protesta antiqeveritare në Chisinau.

Dokumentet e analizuara nga publikimi, të cilat janë pjesë e materialeve konfidenciale të marra nga inteligjenca ukrainase, ilustrojnë se Moska vazhdon të përpiqet të manipulojë vendet e Evropës Lindore, pavarësisht se fushata e saj ushtarake në Ukrainë po dështon.

Sipas raporteve të përgjuara, FSB-ja dërgoi një grup teknologësh politikë rusë për të këshilluar partinë Shor.

Dhe, sipas dokumenteve, FSB-ja mbikëqyri një marrëveshje në të cilën një oligark rus bleu një nga asetet kryesore të Shor për ta fshehur atë nga autoritetet moldave.

Për më tepër, kontrolli i menaxhimit të dy kanaleve kryesore televizive pro-ruse të Moldavisë iu transferua një bashkëpunëtor të ngushtë të Shor në fund të shtatorit.

Kjo, duke i paraqitur atij një platformë të madhe për të nxitur një axhendë në përputhje me Moskën.

Partia “Shor” duhet të pozicionohet si një parti “aksioni konkret”, populiste “në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”, një parti që “ndryshon jetën e njerëzve për mirë”, shkruanin strategët rusë në raportin e FSB-së.

Në një intervistë, Shor mohoi se ai kishte marrë mbështetje nga Moska, përfshirë edhe nga shërbimet speciale.

“Ne jemi një parti plotësisht e pavarur që mbron vetëm pozicionin e qytetarëve të Moldavisë”, tha ai.

Zyrtarët kanë frikë se protestat e organizuara nga Shor, megjithëse relativisht të vogla deri më tani, mund të intensifikohen në dimër dhe se kriza energjitike mund të përdoret për të rrëzuar qeverinë.

“Pas Ukrainës, Moldavia është vendi ku ne fokusohemi”, tha një zyrtar perëndimor për WP-në.

Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi të mërkurën sanksione ndaj disa subjekteve dhe individëve rusë dhe moldavë, përfshirë Shor, duke thënë se ai “koordinoi me përfaqësuesit e oligarkëve të tjerë për të krijuar trazira politike në Moldavi”.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e Moldavisë do të shqyrtojë mundësinë e likuidimit të partisë pro-ruse “Shor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore