Kosova

Freedom House: Kosova më mirë se vitin e kaluar në shkallën e demokracisë për 0.11 pikë


Kosova sërish radhitet në grupin e regjimeve hibride, “demokraci tranzicionale”, në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, i publikuar këtë të mërkurën,

Dmokracia në Kosovë, sipas vlerësimeve dhe matjeve të kësaj organizate, ka pësuar një përmirësim të vogël.

Nga 3.14 pikë nga sa ishte vlerësuar vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje në 3.25 pikë këtë vit, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.

Lajmin e bëri të ditur “Zëri i Amerikës”, duke iu referuar organizatës joqeveritare me seli në Washington.

Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë.

Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.

Nga vendet e rajonit gjendja është përkeqësuar në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, situata është e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore