Shqipëria

Fredi Beleri i bën 3 kërkesa Mitsotakisit, mes tyre të luftohet për lirinë e tij


Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili prej muajsh gjendet i arrestuar nën akuzën e shitblerjes së votës gjatë fushatës zgjedhore për vendoret e 14 majit, i ka bërë kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis tre kërkesa, mes të cilave edhe lirimi i tij nga burgu.

Këto, ai i ka bërë të ditura gjatë një vizite që i ka zhvilluar në burg deputeti i partisë greke Demokracia e Re, Angelos Syrigos.

Përmes tij, ai i ka bërë Mitsokatikisit edhe tre kërkesat.

E para, të betohet menjëherë si kryetar i Bashkisë Himarë, pasi e ka zgjedhur populli.

E dyta, të lirohet nga burgu, në mënyrë që të ushtrojë detyrën si kryetar.

E treta, të rrëzohet akuza e “padrejtë, qesharake, tendencioze dhe e pabazë” që është ngritur ndaj tij.

“Në personin e Kryeministrit Grek falënderojmë Greqinë që lufton krah nesh për të siguruar të drejtat tona njerëzore”, shton ai ndër të tjera, në një postim që ka bërë në median sociale Facebook.

Beleri po ashtu hodhi edhe akuza ndaj Qeverisë shqiptare, ku këmbëngul se është përgatitur një ligj me qëllim zhvillimin e zonës së Himarës, duke tërhequr kapitale të huaja.

Por, sipas tij, deri më sot as edhe një i huaj nuk ka investuar në zonë. ,

“Të gjithë ata që janë shpallur investitorë strategjikë janë që të gjithë shqiptarë me lidhje me pushtetin”, vijon më tej Beleri.

Teksa, në mbyllje, shton se qëllimi është që minoriteti grek në Shqipëri të jetojë në një shtet demokratik ku nuk ka dallime për përkatësinë etnike të shtetasve të vet, duke ndaluar shantazhimin ndaj popullatës.

Beleri mbetet në burg

Më 25 korrik, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kreun e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Kujtojmë se më 15 qershor ai bëri rekurs në këtë Gjykatë ku kërkonte lirinë, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e la atë në burg, nën akuzën e shit-blerjes së votave.

Sipas avokatëve të Belerit, vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm.

Ndaj, kërkohet shpallja e paligjshme e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certefikuar rezultatin, ku i dha mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg.

Si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore