Lajme

François Fillon u shpall përfundimisht fajtor në çështjen e punëve fiktive, një gjyq i ri do të përcaktojë dënimin e tij


Gjykata e Kasacionit konfirmoi përfundimisht, të mërkurën e24 prillit, fajësinë e François Fillon në çështjen e punëve fiktive të gruas së tij, por Gjykata e Lartë urdhëroi një gjykim të ri për dënimet e dhëna ndaj tij dhe dëmshpërblimet.

Gjykata e Kasacionit rrëzoi të mërkurën ankesat e ish-kryeministrit francez, François Fillon, bashkëshortes dhe ish-zëvendësit të tij.

Nga ana tjetër, ka rrëzuar vendimin e gjykatës së apelit “për dënimet e dhëna dhe dëmshpërblimin” ndaj ish-deputetit.

Prandaj do të ketë një gjyq të tretë për Fillon!

Një seancë e re do të mbahet në muajt në vijim përpara Gjykatës së Apelit të Parisit, për të rishqyrtuar sanksionet e vendosura ndaj ish-kryeministrit, 70 vjeç, i cili u dënua në apel më 9 maj 2022 me katër vjet burgim, përfshi një gjobë prej 375 mijë euro dhe dhjetë vjet paaftësi për të garuar në poste publike.

Nga ana tjetër, dënimi i Penelope Fillon (dënim me dy vjet burg me kusht dhe 375 mijë euro gjobë) dhe ai i ish-zëvendësit të Fillon në Sarthe Marc Joulaud (tre vjet burg me kusht), janë vërtetuar edhe nga Gjykata.

Kjo e fundit “konfirmon vendimin e Gjykatës së Apelit pasi njeh fajësinë e një deputeti, bashkëshortes dhe zëvendësit të tij, veçanërisht për përvetësim të fondeve publike dhe bashkëpunim. Nga ana tjetër, prish vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me dënimet e deputetit dhe dëmshpërblimin që duhet paguar”, tha ajo në një deklaratë për mediat.

“Në të vërtetë, një gjykatës mund të shqiptojë një dënim me burg të papezulluar vetëm nëse serioziteti i veprës dhe personaliteti i kryerësit e bëjnë këtë dënim thelbësor dhe nëse ndonjë sanksion tjetër është haptazi i pamjaftueshëm. Mirëpo, në dënimin e deputetit, gjyqtari i apelit nuk ka shpjeguar se si një sanksion tjetër përveç dënimit me burg pa pezullim do të kishte qenë haptazi i pamjaftueshëm”, konsideron Gjykata e Kasacionit në vendimin e saj.

Ndërsa çifti Fillon ishte urdhëruar në apel të paguante 800 mijë euro dëmshpërblim në Asamblenë Kombëtare për të rimbursuar të gjithë pagat e paguara të Penelope Fillon, edhe Gjykata e Kasacionit e rrëzoi këtë vendim, duke konsideruar se “gjyqtarët konstatuan se nëse shpërblimi e paguar ishte qartësisht joproporcionale në raport me punën e ofruar, ajo nuk ishte e pavlerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore