Lajme

Formimi i qeverisë së re në Mal të Zi, Gjeloshaj: Ia kemi paraqitur parimet tona Spajiç-it


Nik Gjeloshaj

Kryetari i Forumit Shqiptar – partia shqiptare në Mal të Zi – njëherit kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç – ku kanë diskutuar për formimin e qeverisë së re malazeze – ka thënë se kanë pasur një diskutim konstruktiv.

Gjeloshaj pohoi se partia që ai udhëheqë i ka parimet e tyre programore, të cilat tha se ua kanë ofruar qytetarëve në fushatë.

“Kjo është baza dhe ia kemi paraqitur sot kolegëve tanë nga Evropa Tani që të pajtohen me ato parime”, theksoi ai, duke shtuar se “baza e gjithçkaje është që qeveria të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë”.

Ndërkaq, ai potencoi se komunikimi në mes të partive minoritare – që në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit kanë marrë mandate deputetësh – ekziston, “por që të gjitha janë subjekte të ndryshme”.

“Për ne është i rëndësishëm orientimi politik i jashtëm i qeverisë. Ne do të diskutojmë gjithashtu me Spajiç-in për kërkesën tonë për mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve”.

Ne kemi qëndrime të qarta, theksoi Gjeloshaj, “dhe ia kemi paraqitur qartë të gjithë partnerëve tanë potencialë”.

Ndryshe, lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiç, të enjten pas takimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Evropa Tani – fituesit e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi – ka thënë se për shkak të stabilitetit të proceseve politike, Mali i Zi duhet të ketë një qeveri të fortë politike që do të bazohet në parimet e ofruara nga Lëvizja Evropa Tani.

Beçiç theksoi se takimi i së enjtes ishte një tjetër “në serinë e takimeve konstruktive” dhe se konfirmoi “bashkëpunimin perfekt mes dy subjekteve politike”.

“Ne i kemi përcjellë lidershipit të PES se pranojmë parimet për formimin e qeverisë së Malit të Zi që duhet të ketë një qeveri me shumicë të fortë dhe është një moment i mirë që të gjithë ne të tregojmë përgjegjësi. Demokratët janë këtu për të dhënë një kontribut konstruktiv”, pohoi Beçiç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

I pyetur nëse është diskutuar për ndarjen e ministrive, ai ka potencuar se janë diskutuar për parimet, pa dhënë detaje sepse, siç tha ai, është marrë vesh që të dërgojnë një deklaratë të përbashkët.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga Fronti Demokratik, me 15.

Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksi Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.

Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore