Shqipëria

Forcimi i lekut, Sejko takim me përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve eksportuese për të diskutuar mbi shqetësimet e ngritura nga ata lidhur me forcimin e kursit të këmbimit të Lekut ndaj monedhës Euro.

Guvernatori Gent Sejko mendon se ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend.

Ai i ftoi eksportuesit të jenë të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë me industrinë financiare.

“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit”, tha ai.

Dhe se Banka e Shqipërisë “mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve”.

Sipas Bankës së Shqipërisë, tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative.

Referuar analizave, Banka Qendrore gjykon se forcimi i kursit të këmbimit të Lekut pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë shqiptare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore