Lajme

FMN: Tensionet në veri dhe liberalizimi i vizave mund të kërcënojnë stabilitetin ekonomik të Kosovës


Ilustirm

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka tërhequr vërejtjen se vendimi i Bashkimit Evropian (BE) për liberalizimin e vizave për kosovarët, i cili hyn në fuqi në janar të vitit 2024, dhe tensionet sporadike në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mund të kërcënojnë zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme.

Në një raport të fundit të FMN-së theksohet rreziku i rritjes së emigracionit për shkak të liberalizimit të vizave, duke ndikuar negativisht në disa segmente të tregut të punës në një periudhë afatshkurtër, ndërsa sa i përket periudhës afatmesme, nënvizohet rreziku i rënies së investimeve të huaja direkte për shkak të tensioneve të vazhdueshme në pjesën veriore të vendit.

“Në terma afatshkurtër, një impuls fiskal më i vogël se ai i parashikuar mund të dëmtojë rritjen; Liberalizimi i vizave nga ana e BE-së, i cili hyn në fuqi në janar 2024, mund të çojë në rritjen e emigracionit, duke ndikuar negativisht në kërkesën afatshkurtër dhe duke pakësuar disa segmenteve të tregut të punës”, thuhet në raportin e FMN-së.

“Në afat të mesëm, tensionet e vazhdueshme në veri mund të rëndojnë mbi investimet e huaja direkte, financimet e reja të donatorëve dhe flukset hyrëse të turizmit. Në të njëjtën kohë, përpjekjet e shumë firmave evropiane mund të çojnë në investime direkte më të larta dhe rritje potenciale, veçanërisht nëse dialogu me Serbinë përparon”, thuhet ndër të tjera aty.

Në raportin e FMN-së thuhet se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës të cilat janë vendosur në qershor të këtij viti për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovë për të depërshkallëzuar situatën në pjesën veriore të vendit, nuk kanë gjasa të ndikojnë negativisht në një periudhë afatshkurtër, por mund të godasin ekonominë nëse mbahen për më gjatë.

“Megjithatë, nëse masat vazhdojnë, ndihma e re dypalëshe ka të ngjarë të ulet. Tensionet e vazhdueshme mund të ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, duke rënduar në flukset turistike, investimet e huaja direkte dhe rritjen. Tensionet në veri gjithashtu mund të thellojnë polarizimin e brendshëm politik”, thuhet ndër të tjera në raportin e FMN-së.

Derisa rreziqet afatshkurtra janë të balancuara, sipas raportit, pasiguritë vazhdojnë, duke përfshirë mjedisin e jashtëm ekonomik, zhvillimet gjeopolitike rajonale dhe globale. E, pavarësisht situatës relativisht të qetë në veri, pas sulmeve të shtatorit nga grupet paramilitare serbe, një zgjidhje e qëndrueshme mund të ndikojë pozitivisht në rezultatet ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore